Ty, që të zë lindja e diellit pa futur gjumë në sy, me foshnjë në krahë, tek orvatesh sa poshtë sa lartë, ikë larg dhomave se mos ua prish gjumin të tjerëve, pavërejtshëm të kap mëngjesi për dore tek rinisë për të satën herë, si një ushtar besnik, punët e ditës!

Ty, që të ngulfat ndjenja e fajit nëse në ditë vikendi nuk shndërrohesh në të përhiturën, nuk e bënë shtëpinë dritë, nuk e mbush tavolinën me gatime, nuk ua bënë të gjitha qejfet fëmijëve, ani që krahas teje edhe Gjergj Elez Alia me 7 plagë është ndjerë më mirë!

Ty, që po përfundon për të satën herë klasën e parë e dytë e tretë, tek përfundon edhe studimet tua por në vetë sakrificat që bënë gjenë forcë dhe vullnet për të vazhduar tutje dhe nuk heq dorë, asnjëherë!

Ty, që shkëlqen në trembje të përbindëshave përderisa rregullon shtretërit dhe qetëson zemrat, largon ëndrrat e këqija, ndryshon petkun si do dhe sa herë të kërkohet, dhe krejt në fund fare ia grabit natës disa çaste për të qenë vetja jote, për të pirë një kafe, a një gotë verë tek shfleton ndonjë libër të ngrysur e të harruar diku para shumë kohësh!

Ty, që të kanë hy fëmijët në pubertet dhe nuk je më aq e dashur, nuk je as në modë e as e afërt! Derisa të përplasen fytyrës shpërthime hormonesh, të qara e të qeshura pa fund, ti shndërrohesh në një ekspert navigacioni dhe kujdesshëm e heshturazi navigon disponime e qëndrime nga më absurdet. Përjeton për të satën herë laramani emocionesh dhe zhvillon e perfeksionon metoda hetuese e hulumtuese që edhe CIA do të kishte lakmi, uroj të kesh durimin e botës se do të të duhet!

Ty, që dashurohesh në potencial, në të mirën, të këndshmen, të njerëzishmen. Ty që je gjithmonë aty, që flakë prapa zënkat e zemërimet, që ushqen moralin dhe nderin, që shtrin dorën e hapë zemrën, që ofron ndihmë dhe dashuri të pakusht, ty që kurrë mend s’u mbushe! Të faleminderit! Pa ty kjo botë nuk do të kishte dritë!