Këto ditë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës promovonte një linjë direkte për Paris, me çmime goxha për toke, që furishëm ma rrëmbeu zemrën për disa çaste. Nuk ishte rrëmbim i rastësishëm ky! Lidhja ime platonike dhe flirtimi me Parisin kishte filluar shumë më herët, por nuk jam e sigurt për fillet e saj! Mund të ketë nisur me poezinë e Zhak Preverit “Parisi Natën” apo me veprën e Hemingway “Festë në lëvizje”. Mund të ketë ngulë rrënjë me filmin e Woddy Allenit “Mesnata në Paris” apo me fjalinë e famshme në fund të filmit Casablanca “Ne gjithmonë do ta kemi Parisin”!

S’jam e sigurt pra, kur dhe si filloi dashuria ime me Parisin, por ama jam shumë e sigurt se nuk jemi parë në sy ndonjëherë! Dhe nuk na ndan distanca, jo, nuk na ndan as mungesa e dashurisë. Na ndan izolimi im, na ndajnë procedurat degraduese që më poshtërojnë, na ndajnë vizat bashkë me byrokracinë frymëzënëse.

Dhe mendoja me vete, po sikur të mund ta shfrytëzoja atë biletë të lirë! A thua sa frymëdhënëse e sa jetëplotë do të ishte ajo ndjenjë, sa magjik do të ishte ai komoditet kur aty për aty vendos të vizitosh një vend si Parisi, pa e çarë fare kokën për vizë! Më kaploi magjia e një lirie të tillë, më dehu skajshmërisht duke ma zgjuar kureshtjen e një fëmije që sa fillon të zbulojë botën.

A thua shiu në Paris sa rrëmbyeshëm bie, po vjeshta a i ka hije, gjethet a janë ngjyrë kungulli, a bien pavërejtshëm? Po Luvri, shtëpia e Mona Lizës, çfarë shije ka? A thua kulla e Eiffel-it vetëton me shkëlqim ashtu si në fotografi?! Po kambana e Katedrales së Notre Damit a tingëllon me ëmbëlsi njëjtë siç tingëllon kambana e Katedrales sonë? A thua çfarë ndjesie të krijon ecja rrugëve të Zhan D’rakut, a rrapëllijnë makinat me solemnitet? A thua këndon Parisi natën apo frymon me elegancë kur ka gjithë atë art në gji?! A thua do të kuptoj ndonjëherë sa të ndryshon kjo përvojë, sa të plotëson, sa të qytetëron, sa të ushqen?

Sa afër e aq larg! Se ç’më dehu kjo ide, u deha e u godita me absurdin, me idenë e lirisë së lëvizjes që në fakt është e drejtë themelore. Kjo në të vërtetë është edhe ma patetike sesa që tingëllon! Më patetike kur e kujtoj se mashtrohemi e besojmë se kjo situatë do të ndryshoj tash e 17 vite. Mbase do të ndryshoj ndonjëherë, mbase edhe jo, s’jam e sigurt! Por ama jam shumë e sigurt se me lirinë e përjetimit të këtyre vendeve e shumë e shumë të tjerave do të bëheshim njerëz më të mirë dhe qytetarë më të dobishëm të vendit që ironikisht quhet vendi i evropianëve të rinj!