Nuk e di pse, por, sa herë që vjen koha e detyrave të shtëpisë, që djali im në klasën e tretë duhet t’i kryej, mua më kujtohet Migjeni dhe poema e tij e mjerimit. Edhe pse poema e mjerimit, një kryevepër në vete, nuk ka ndonjë lidhje me detyra të shtëpisë, mua më sillet në kokë vargu “kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi”! Ndoshta sepse mjerimin që unë përjetoj me detyra të shtëpisë vetëm Migjeni do të dinte ta përshkruaj, por sidoqoftë, unë do të bëjë një përpjekje të rëndomtë.

Pothuajse çdo ditë, unë dhe djali im, e fillojmë betejën e mundimshme të detyrave të shtëpisë aty rreth orës gjashtë pasdite, që ndryshe njihet edhe si ora e trishtimit! Kërkesa ime e parë, e njerëzishme, të fillohet me detyra të shtëpisë has në rezistencë të çeliktë dhe refuzim absolut. Pastaj kërkesa e dytë dhe e tretë, më pak të njerëzishme këto, hasin në arsyetime refuzimi. Jam i lodhur, dua të pushoj, më hahet një mollë, a ka mollë, pse s’ka mollë, tash e kam nxehtë, e tash ftohtë, dua të shiqoj film, dua të dal me biçikletë, kam gjumë, kam etje, kam nevojë për tualet, me dhemb barku, më dhemb koka e dhëmbi e veshi e gishti e çka jo! Pastaj fillojnë pyetjet: Pse duhet t’i bëjë detyrat? Pse bash tash? A është patjetër? Për të përfunduar me pyetjen një milion dollarëshe: Pse ekzistoj unë? Sqarime, sqarime edhe prapë sqarime të pafundme! Pastaj fillojmë me negociatat… Më duhet të them që kjo puna e detyrave të shtëpisë ka zhvilluar aq shumë aftësitë negociuese të djalit tim sa edhe vet Mandela do t’ia kishte lakmi, ani që ky i pari ende nuk po i shfrytëzon ato aftësi për qëllime fisnike, por për të më korruptuar mua!

E kështu pas negociatave, diku rreth orës shtatë pasdite fillojmë me detyrat prej vërteti. Ky si duket është fenomen që i prek më shumë djemtë, ndoshta nga natyra ma rebele që kanë, ose ndoshta thjeshtë unë nuk jam aq e zonja sa të gjej një formulë të qëndrueshme funksionale, pasi që me sa kam kuptuar, vajzat janë më pak problematike në këtë drejtim.

Por sa në të vërtetë janë efektive gjithë ato detyra? Në anën tjetër sa e dëmtojnë raportin fëmijë – prind? Unë jam e vetëdijshme se kur është hartuar kurrikula bërthamë janë marrë për bazë modelet më të mira, dhe në teori gjithçka duket për mrekulli. Por, a është marrë parasysh fakti se ai planprogram në bazë të asaj kurrikule duhet të realizohet brenda 4 orëve mësimore nga 45 minuta (në skenarin më të mirë 45 minuta), në një klasë me mbi 40 nxënës? Sa është e realizueshme kjo? Çfarë ngarkese është kjo për mësimdhënësit të cilët pastaj detyrohen që t’i ngarkojnë fëmijët me aq shumë detyra, e mos të flasim për testet e famshme pas çdo të dytës apo tretës njësi mësimore! Për të rezultuar gjithë kjo me fëmijë të stresuar e prindër të frustruar. Shto këtu edhe faktin se prindërve që punojnë pas një orari 8-9 orësh, pas obligimeve të shumta në shtëpi dhe pas detyrave maratonike nuk u mbetet në fakt kohë për t’u argëtuar me fëmijët e tyre apo për të kaluar kohë relaksuese pa stres e pa frustrim. Veç kësaj, mos e dhashtë zoti që ta dërgoni fëmijën edhe në ndonjë kurs që kur përkthehet në kohë ti merr minimalisht 3 orë në javë.

Unë e kuptoj rëndësinë e ushtrimeve më fëmijët, mbikëqyrjes, punës së përbashkët dhe përkrahjes në çdo aspekt e edhe në fushën e përforcimit të diturive të reja përmes detyrave apo përsëritjes. Por thjeshtë jam kureshtare të dijë nëse në staza të gjata kanë ndonjë efekt pozitiv psh detyrat e matematikës me shumëzim për çdo ditë, tre muaj me radhë? A kanë autonomi mësimdhënësit që të individualizojnë detyrat e shtëpisë se jo të gjithë fëmijët kanë nivelin e arritshmërisë të njëjtë në secilën lëndë. Në anën tjetër, sa kohë humbet për kontrollim të detyrave të mbi 40 nxënësve çdo ditë, çdo orë? E nëse nuk kontrollohen, sa dekurajuese është ajo për fëmijët? Duke hulumtuar për efektshmërinë e detyrave të shtëpisë pash se janë bërë shumë hulumtime në këtë fushë, nuk di nëse tek ne është realizuar ndonjë? Sidoqoftë, shumë prej hulumtimeve rezultonin se detyrat e shtëpisë, sidomos për fëmijë të ciklit të ulët, nuk kanë ndonjë efekt. Madje një rast më ekstrem, një qift kanadez në vitin 2009 kishte fituar betejën ligjore kundër detyrave të shtëpisë, pasi që nuk kishte argumente se ato në fakt janë të efektshme!

Por detyrat kanë qenë dhe do të mbeten për aq kohë sa askush nuk e konteston efektshmërinë e tyre krahas dëmit afatgjatë. Duke qenë kështu, dua të ndaj me ju që bashkëndjeni me mua një sekret që e kam zbuluar së fundmi. Djali im i adhuron befasitë dhe një ditë nga dëshpërimi i fillimit të betejës me detyrat e shtëpisë i thash ashtu shkarazi: “Sa mirë do të ishte që ti të përfundosh detyrat deri sa mami e përgatit darkën dhe ta befasosh mamin”. Kjo miq funksionoi, dhe unë u mrekullova, ani që në këtë formë përjashtohesha nga procesi i mbikëqyrjes së atypëratyshme, por të paktën nuk luftonim me, e më vonë në qetësi ushtronim bashkë aty ku kishte ngecje. Dhe kështu fillova unë të keqpërdor si duket këtë metodën e befasisë, duke i thënë djalit tim: “Befasoje mamin”, deri sa ai një ditë më tha: “O mami befasitë nuk janë të përditshme, si mund të befasohesh me të njëjtën gjë çdo ditë”? Oh po i thash, mundem, çdo ditë, të lutem befasoje mamin çdo ditë!