Unë kam lindur në prill të vitit 1981, pranverën e shpërthimit të demonstratave studentore e më pas gjithë popullore me kërkesën për liri. Nëna më kishte treguar se kishte qenë edhe orë policore kur unë kam ardh në jetë. E babai tregonte se gëzimi i lindjes së fëmijës së parë i ishte gjymtuar pasi që paralelisht shokët e shoqet bashkë me të gjakoseshin nëpër demonstrata, burgoseshin, rriheshin e poshtëroheshin nga sistemi i atëhershëm. Natyrisht se mua nuk më kujtohet kjo periudhë, por më kujtohen shumë mirë vitet pasuese. Më kujtohet kur në shkollën fillore na treguan se nuk mund të shfrytëzojmë hyrjen nga prapa të shkollës dhe mbi gjysmën e hapësirës shkollore, më kujtohet edhe që të gjithë kabinetet ishin “zënë” pra ishin ndarë për fëmijët serb. Më kujtohet që ishim urdhëruar si fëmijë krejt të vegjël 7-8 vjeç të mos luajmë e as të mos flasim me fëmijët serb. Më kujtohet që argëtimi ynë fëmijërorë zinte vend kryesisht në baltën e para banesave ndërsa ai në shtëpi ishte tejet i kufizuar sepse gjithmonë “situata ishte e rëndë” gjithmonë ishte “gjendje lufte” dhe gjithmonë dëgjohej Deutsche Welle apo Zëri i Amerikës, shikohej CNN apo BBC dhe lajmet e TVSH-së, pra pothuajse gjithë ditën lajmet zaptonin shtëpinë dhe dukej se s’kishin mbarim!

Duke qenë së babai im ishte gazetarë në Rilindjen e atëhershme, më kujtohet kur në fillim të viteve të 90-ta u mbyll Rilindja dhe nuk do ta harroj asnjëherë tmerrin dhe trishtimin që reflektonin sytë e prindërve plot ankth në atë periudhë. Më kujtohet kur në klasë të katërt më pyeti mësuesja nëse babi ishte mire, e unë atë nuk e kisha parë fare një natë më herët pasi që ishte rrahur nga policia serbe dhe kishte shkuar te gjyshja për të mos na trishtuar. Më kujtohet kur shumë të afërm, familjarë e fqinjë morën rrugën e kurbetit, kryesisht ata me djem të ri që thirreshin për të kryer shërbimin ushtarak në ish armatën jugosllave, duke qenë se shumë prej të rinjve tanë ktheheshin në arkivole nga ai shërbim. Më kujtohet helmimi i nxënësve nëpër shkolla dhe ato pamje i kam ende shumë të freskëta në kujtesë. Më kujtohet greva e urisë së gazetarëve dhe shkrimtarëve në vitin 1993 kur pas 11 dite grevë babi u kthye në shtëpi nën 50 kg. Më kujtohet se gjenerata ime shkollën e mesme e kreu në shtëpitë shkolla. Më kujtohet që adoleshenca ime dhe e gjeneratës time është përcjellë me trazira e tensione, me frikë e ankth e protesta të vazhdueshme.

E ne u rritëm, kaluam edhe luftën dhe përsëri gjenerata ime, ne fatlumët, patëm fatin që të fillojmë të punojmë dhe kështu morëm përsipër një pjesë të barrës së mbajtjes së familjes, duke e humbur rastin të jemi studentë të mirëfilltë por duke u kënaqur me kontributin në mirëqenie të familjes. Më kujtohen edhe shumë e shumë hollësi tjera por këto kujtime i nxora për të pasqyruar pak a shumë fëmijërinë dhe adoleshencën e gjeneratës time. Pra, ne nuk patëm as fëmijëri e as adoleshencë, e ne nuk qemë as studentë të mirëfilltë. Unë, dhe e di që shumë si unë, i kanë përfunduar studimet duke punuar me orar të plotë, dhe përfundimisht ne fatlumët u rritëm për t’u bërë qytetarë të dobishëm të shtetit tonë të lirë! Jam shumë e vetëdijshme se ne konsiderohemi me fat që kemi jetuar në qytet pasi që bashkëmoshatarët tanë në vendet e tjera kanë pësuar edhe më shumë!  Shumë prej tyre edhe kanë rënë me pushkë në krah, iu bëftë shpirti dritë!

Jam e vetëdijshme që e keqja s’ka skaj, por ama ne sot nuk po e gëzojmë as moshën e pjekurisë. Ne sot, ky popull, kjo shoqëri, kjo gjeneratë që kaloi nëntë rrathët e ferrit e që nuk gëzoi asnjë prej etapave të zhvillimit normal që ish dashtë të kaloj një njeri që nga lindja, sot në liri proteston e ballafaqohet ende me vdekje në burgje, me burgosje e me gjakosje të protestuesve. Nuk e di pleqërinë si do ta kemi, por një gjë e di, e di që kjo shoqëri nuk do të lejoj asnjëherë që fëmijët e tyre të ballafaqohen me të njëjtat tmerre. Vdekja në burg e Astritit trokiti në ndërgjegje të kësaj shoqërie dhe reagimet po shihen gjithandej, çfarëdo qofshin ato, kjo shoqëri po zgjohet, kjo shoqëri po reagon dhe përfundimisht kjo shoqëri po kërkon përgjegjësi. E di që forca e shpirtit të kësaj shoqërie është më e madhe se kaq, e di që vetëdija e kësaj shoqërie është më e lartë se kaq dhe se vullneti i saj është më i madh se kaq. Vdekja e Astritit po na e gërryen shpirtin, shuarja e jetës së tij në burg të Kosovës së lirë është më shumë se tragjike. Uroj të jetë e fundit! Astritit i qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë! Vdekjen e tij e paçim këmbanë zgjimi!