Ta përqafojmë jetën! Plakja sot, kujtoj, sidomos në vendin tonë me këto kushte jetese, është absolutisht një mrekulli, mrekulli më e madhe se vet jeta. Por, sa pak jemi të vetëdijshëm për këtë fakt! Reflektoni për një moment, kujtoni të gjithë ata njerëz të dashur rreth jush, familjarë, shokë, kolegë, fqinjë që janë shkëputur aq herët prej jetës pa arritur të kenë së paku edhe një rrudhë të vetme në fytyrë.

Sa e dhimbshme e tragjike është kjo, sa padrejtësisht jeta ua ka grabit mrekullinë e plakjes! E ne, na ka përfshirë një valë e çmendur e luftimit të saj me çdo mjet që kemi në dispozicion duke mos u kursyer as edhe prej bisturisë, vetëm e vetëm që të dukemi përjetësisht të rinj duke dalë, jo rrallë herë, edhe qesharak. Nuk është e natyrshme e as e pritshme që në moshën dyzet vjeçe të dukemi njësoj sikur kur kemi qenë njëzet vjeç.

Ta përqafojmë jetën, t’i përqafojmë rrudhat pra, sepse në atë fytyrë me rrudha pasqyrohet vet jeta. Ato ngërthejnë në vete të gjitha kujtimet, e pse të fshihen kujtimet, çfarëdo qofshin ato! Ato reflektojnë të gjitha rrugët që ne kemi kaluar, reflektojnë pjekuri, maturi e urtësi! Reflektojnë mësime që vetëm jeta na i mëson!

Sa për ilustrim fjala reflektim rrjedh nga fjala latine reflectere që do të thotë “kthej prapa”, pasqyra e bënë këtë gjë pra e kthen prapa dritën duke e bërë të mundur reflektimin tonë në pasqyrë.

Sikur të kishte mjaftuar reflektimi në pasqyrë për të kuptuar çka fshihet pas asaj rrudhës në ballë, sa netë pa gjumë fshihen pas asaj tjetrës nën sy, sa dhimbje e vaj fshihet pas qeskave të fryra, pas flokëve të thinjura, pas asaj verdhësisë anemike në fytyrë. Janë edhe rrudhat e mimikës, ato rreth gojës – përkujtim i qeshjeve pa kufi, simbole të bukura hareje. Ato rreth syve – suvenire emocionale që dokumentojnë se e kemi shijuar diellin, se kemi jetuar e përjetuar gëzime e dalldisje pa fund! Pasqyra nuk mund të reflektoj dhe të vlerësoj aq thellë por njeriu mundet! Kujtoj se këto rrudha duhet t’i përqafojmë e t’i bartim me shumë krenari, këto suvenire gëzimesh e pikëllimesh që përshkojnë fytyrat tona janë simbole mbijetese të sfidave që i kemi tejkaluar.