Nastradini ka thënë: “Veç ai që ka ra prej dardhës le të vjen me më pa”. Kështu pra, edhe unë që kam ra prej dardhës, po vi tek ju që keni ra apo jeni duke ra prej dardhës, për t’ju pa. Këtu po të drejtohem ty, pa dorëza, pa i zgjedhë fjalët, pa kujdes të shtuar, ty që po ballafaqohesh me ndarjen, ty që ke fëmijë dhe të pret një jetë aspak e lehtë. Ty që je nënë, ty që je shembull i mirësisë dhe dashurisë së pakusht! E ku ka titull më fisnik në botë? Ku ka nderë më të madhë në botë? Ku ka lumturi më të madhe sesa lumturia që sjellë buzëqeshja në sytë e fëmijës tënd!

Ty që gjendesh para vendimit të ndarjes, pavarësisht faktit se a varet ai vendim krejtësisht prej teje, dua të të them ca fjalë me qëllimin më të mirë: Shtjerri të gjitha mundësitë për ta ruajtur familjen, kalo kodra e male e detëra, përbije egon bashkë me krenarinë, dhe mos u dorëzo pa luftuar siç i ka hije një nëne. Dhe kur ti kesh shtjerrë të gjitha, kur ti kesh kaluar të gjitha, kur ti kesh përbirë të gjitha atëherë së paku do të jesh më rehat me veten dhe do të bëshë gjumë të mirë. E di që gjumi është tani në fund të mendjes tënde por nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e gjumit të mirë, të cilin do ta kesh tejet të nevojshëm për t’a rifilluar jetën nga e para. E për të bërë këtë do të të duhet të mobilizosh edhe grimcat më të vogla të energjisë. Por sa herë ti shohësh ato syçkat e vogla plot gaz, për të cilët ti je një super hero, do të përjetosh shpërthim energjie, aty pra është priza jote elektrike. Mos harro që ti je shembull për ta. Mos harro që ti je nënë!

Ty që ky fakt të ka zënë në befasi, ty që e gjitha po të duket si një ankth, ty që rrahjet e zemrës po ta zënë frymën dhe ke frikë se nuk do të qelë mëngjesi. Ke durim, bëhu e mirë me veten, të premtoj se nuk do të zgjas përgjithmonë. E di që ndjehesh e mashtruar, e tradhtuar e fyer, e poshtëruar dhe e keqpërdorur. S’mund ta besosh që ty po të ndodh një gjë e tillë, si mund të kesh qenë aq mospërfillëse, si nuk i ke vënë re shenjat? Tani kur mendon në retrospektivë dhe i kujton ngjarjet tani gjithçka ka kuptim. Por të lutem mos e dëno veten, jepi vetes kohë dhe trajtoje veten mirë, nuk do të kishte qenë ndryshe edhe po t’a kishe pasur nivelin e kujdesit deri në qiell. Ke durim, gjithçka do të bie në vendin e vet, herët apo vonë! Mos e ushqe mendjen me urrejtje, mos lejo që e keqja të zë vend në shpirtin tënd. Mos harro që ti je nënë!

Mos e përdor fëmijën për hakmarrje, mos e ngarko fëmijën me rolin e postierit, mos e portreizo palën tjetër si monstrum se në fund të fundit ai/ajo nuk e ka zgjedh babën e tij/saj por ti e ke bërë. Dhe asnjëherë mos harro që edhe nëse ish bashkëshorti është larguar dhe të ka lënë, ai të ka lënë ty dhe jo fëmijën. Sa ma herët që të pranosh këtë fakt aq më lehtë do ta kesh të vazhdosh tutje. E di që nuk është e lehtë, e di që lukthi të rrotullohet, stomaku të dhemb, e di që i ndjen copat e shpirtit tek bien një nga një si fluska bore për ta shturar rrugën e urrejtjes. E di që inati të ka verbuar dhe mllefi të ka errësuar mendjen, e di që me raste e humb arsyen e shëndosh, që është e kuptueshme. Humbe arsyen, qaj e shaj sa të mundesh, çjerru, qesh e përqesh dhe bëjë çfarëdo që ty të ndihmon të tejkalosh këtë situatë por jo para fëmijëve. Ke parasyshë që fëmijët përfitojnë shumë nga marrëdhënia e shëndosh me të dy prindërit si dhe nga komunikimi i prindërve andaj është obligim i yti si nënë që të luftosh për interesin e fëmijës tënd, duke kërkuar edhe nga ish bashkëshorti komunikim të shëndosh (përjashto këtu personat e dhunshëm që paraqesin rrezik për sigurinë tënde dhe të fëmijës tënd) lidhur me mirëqenien e fëmijës. Mos harro që ti je nënë!

Dhe në fund por jo e fundit, nuk do të vdesësh edhe pse me raste as kjo dëshirë nuk do të mungojë. Nuk e ke komoditetin e as lluksin e vdekjes, nuk do të kesh as kohë për një gjë të tillë, por përpiqu të shohësh fundin e martesës si një vdekje, aq ka pasë jetë! Vuaje dhe vajtoje martesën tendë se nuk është marre, fundja koncepti i familjes klasike ka vdekë për ty dhe kjo do të mungojë dhe mundojë gjatë, andaj vajtoje dhe varrose. Jo rastësisht shumë psikologë e kanë konsideruar pikëllimin me rastin e ndarjes sikurse pikëllimin që njeriu përjeton me rastin e vdekjes së një personi të dashur andaj trajtoje si të tillë. Uroj të kesh shumë njerëz të dashur përreth që të paktën të të dëgjojnë dhe mos u ngut ta tejkalosh këtë periudhë pikëlluese me shpejtësi, kjo kërkon shumë kohë dhe shumë mund. Mos u bëjë e keqe me veten dhe në asnjë moment mos harro që ti je shembull për fëmijën tënd. Ti je nënë, dhe mu aty është e gjithë forca jote, mu aty është burimi i gjithë energjisë tënde, mu aty është gurra që të mbush ty me gjithë durimin dhe dashurinë e nevojshme për të ecur tutje. Mos e harro këtë!