Apet unë! Jo jo, ende nuk kam hequr dorë prej ekzistencës tënde. Qe sa vite je në grevë babadimër ta dish që e ke tepru. Edhe dije që jam mundu babadimër, besomë, jam mundu të t’zëvendësoj në shtëpinë time por si duket e kam dhi punën. Edhe pse dijetar të ndryshëm të vendit tim po thonë se “Forca e bënë fuqinë” unë besoj se ne të dy duhet të bashkohemi për të bërë fuqinë dhe ti duhet të vish patjetër, se këtë herë e ki punën pisk. Djali im ka fillu me e vu në dyshim ekzistencën tënde, ende pa i mbushur nëntë vjet. Këtë herë ai të ka ngarku më një kërkesë të pamundur. Ka kërkuar që për vitin e ri t’i sjellësh një vëlla! Jo nuk po bëjë shaka, kam përshtypjen se këtë herë e ka vendos me ma dëshmu se ti nuk ekziston, sikur po mundohet me krejt qenien e tij t’më kthjell: “O mami o nuk ekziston bre babadimri, po edhe të kish ekzistu, na as oxhak nuk kemi, heq dorë o mami shih sa e madhe je”. Por, e ka edhe ai një dozë rezervë të besimit, ai po shpreson që nëse ti ekziston dhe ia sjell një vëlla, të kesh aq mend në tru sa t’ia hapësh kutisë ku është vëllai disa vrima, për ajër.  Unë jam duke u munduar t’ia thej mendjen: “Pse me mamin s’po ia kërkon babadimrit një qenë, mundësisht të plastikës”! Por kot, mos të paça borxh babadimër, njëmend ke një mision të pamundur para vetes!

E unë babadimër, unë ende besoj ne ty! Dua të t’rrëfehem së pari të tregoj se kam qenë shumë njeri i mirë këtë vit. Mirë de, kryesisht kam qenë njeri i mirë! Dije që kufiri i tolerancës për budallallëqe goxha më ka ra këtë vit, pothuajse për toke, s’di çka po ndodh babadimër, thjeshtë s’po kam më durim. S’po kam durim e as tolerancë për t’u shtirë kinse ndonjë muhabet koti po më bënë përshtypje, për t’u shtirë kinse njerëz koti meritojnë kohën time, e di që kjo po të tingëllon si arrogancë por nuk është e tillë, thjeshtë kam filluar t’u kushtoj kohë dhe vëmendje njerëzve dhe gjërave në bazë të meritokracisë. Mos bëjë sikur i habitur babadimër, edhe ti ke gisht këtu. M’i ke ngatërruar letrat këto vitet e fundit e m’ke zatet me gjithfarë budalle, dhe kështu durimi e toleranca e kanë marr dhenë, kanë ikur me erën babadimër. Unë të paktën ia kam dalë matanë pa kry ndonjë vepër penale, e kjo babadimër, kjo është e arritur e madhe për çka dua të shpërblehem kur ti të vendos me iu kthy punës tënde. Nuk është arrogancë kjo, jo. Po e quajmë pjekuri!

Nuk është krejt zi babadimër, kanë ndodh edhe gjëra të mira. Këtë vit për shembull e kam kuptuar se kam paragjykime në disa segmente të caktuara…. të themi gjeografike. Kam punuar me veten në këtë drejtim dhe goxha ia kam arrit me i heq ato, tash jam më e hapur, kam kuptuar se njerëz të mirë, të mençur, inteligjent e trendi në Kosovë ka edhe jashtë Prishtinës. Edhe kjo pra është një e arritur për çka meritoj të shpërblehem në rast se ti vendos me iu kthy punës tënde ndonjëherë. Veç kësaj, këtë vit i kam kultivuar edhe ma tutje marrëdhëniet e shëndosha me secilin njeri të afërt, dhe jam munduar ti forcoj ato. Më këtë rast babadimër dua të t’falënderohem për djalin tim dhe shëndetin e tij, për shoqet e mia fantastike që ma mrekullojnë jetën, për familjarët e dashur dhe mirëqenien e tyre, edhe për llojllojshmërinë e njerëzve të rinj që kam takuar këtë vit.

Dua të t’falënderohem edhe për shëndetin. Kërkoj falje babadimër që ende nuk e kam lënë duhanin, e di e di që me historinë familjare e kualitetin e ajrit në vendin tonë veç i çmendur duhet me qenë me vazhdu me pi duhanin, por ç’me i ba babadimër, këtë dozën e çmendurisë po e ruaj me fanatizëm. Por kam fillu me u vetëdijësu për shëndetin, më ka vetëdijësu ushtima e veshëve, si duket nga trashëgimia familjare do ta kem për dhuratë tensionin variabël! Edhe zemra babadimër, edhe ajo po bënë lojën e kukafshehtit, dhe sikur të mos i mjaftoj ajo lojë shpesh herë edhe kapërcen disa të rrahura e pastaj furishëm rrah për t’i zënë ato të kapërcyerat. Lojë të poshtër po bënë babadimër ta dish, andaj unë këtë vit e dua një tensiometër, të atillë që bënë edhe matjen e pulsit përveç tensionit dhe të lutem të jetë prodhim gjerman.Edhe pak nga ai pluhuri magjik që i bënë kujtimet shpirtcopëtuese të avullojnë! Edhe pak liberalizim të vizave! Edhe pak borë!