Nuk e njoh personalisht shumë mirë ish Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, por më ka rastisur ta takoj disa herë dhe secilën herë me qëndrimin e tij prej një burrështetasi të vërtet më ka lënë me një ndjësi sigurie e mbrojtje, sikur askush s’do të mund të t’lëndoj për sa kohë që ai është këtu. Ky burrë zot-dalës, ky burrë hijerëndë, ky burrë karizmatik në të cilin ndërthuren harmonishëm serioziteti, sharmi dhe humori, kontributi dhe sakrifica e pafund, sot, padrejtësisht po mbahet në paraburgim. Rezultat ky i neglizhencës së shtetit tonë për t’u marr seriozisht me spastrimin e listave. Por kjo neglizhencë po na kushton shumë dhe kjo mund të jetë ajo pika e fundit kur mbushet gota.

Jam e sigurtë që secili prej nesh, me të dëgjuar lajmin se z. Haradinaj, me fletarrest të lëshuar nga Serbia mbahet në paraburgim në Francë, është shqetësuar shumë. Por, jam poashtu e sigurt që secili prej nesh, duke e njohur karakterin dhe sakrificën e z. Haradinaj, kemi menduar në vete se kjo nuk paraqet ndonjë barrë të madhe për të, kur dihen sfidat me të cilat ai është ballafaquar. Por po harrojmë se lëkura e lepurit e ka rrëzuar deven! Po harrojmë se z.Haradinaj para së gjithash është njeri sikur të gjithë ne, është biri i bacës Hilmi dhe nanës Rukë, është babai i Gjinit, Hanës dhe Trimit, është bashkëshorti i Anitës.

Mund të marr me mend se ç’lloj trishtimi ka kapluar zemrën e nënës Rukë, zemër kjo e përvëluar sa e sa herë, e copëtuar sa e sa herë, e gërryer me pikëllimin e një nëne që ka humbur pjesë të shpirtit të saj sa e sa herë. Mund të marr me mend ankthin e bacës Hilmi krahas krenarisë së një babe që dha aq shumë për këtë vend.

Mund vetëm të imagjinoj çmimin që kanë paguar fëmijët e z. Haradinaj, të rritur kryesisht pa babë dhe ndikimin që do ta ketë mungesa e tij në fëmijëri të tyre. Gjini, Hana dhe Trimi nuk e thërrasin z. Haradinaj babë, por e thërrasin në emër, dhe unë mund vetëm të imagjinoj sa e dhimbshme është kjo për z. Haradinaj. Gjini ishte vetëm 11 muajsh kur z. Haradinaj shkoi për herë të parë në Hagë për të mbrojtur luftën e Kosovës. E kam shumë të freskët momentin kur, në mars të vitit 2005, u dha lajmi se Tribunali i Hagës kishte ngritur aktakuzë kundër z. Haradinaj, në atë kohë Kryeministër i Kosovës, gjë që e detyroi z. Haradinaj të jap dorëheqje posa përfundoi 100 ditët e para si Kryeministër.Gjykim ky që zgjati deri në prill të vitit 2008. Edhe pse në prill të vitit 2008 z. Haradinaj shpallet i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, rigjykimi i tij i pjesshëm fillon në korrik të vitit 2010, rast ky unik për Tribunalin, i vetmi rast në historine 18 vjeçare të tij që një vendim pafajësie hidhet poshtë nga Dhoma e Apelit. Z. Haradinaj del faqebardhë edhe këtë herë kur me 29 nëntor 2012 shpallet i pafajshëm, dhe kur kthehet e gjen Trimin 16 muajsh.

Mundem vetëm të imagjinoj shpirtin e Anitës të ndarë në dysh kur me sa e sa herë i është dashur t’i lë fëmijët për të shkuar në Hagë. Kur i është dashur ta ndaj Trimin prej gjirit për t’a vizituar burrin e saj. Mund vetëm të marr me mend boshllëkun trishtues të saj kur është kthyer me foshnje prej spitalit e vetme; kur gëzimin e hapit të parë, të dhëmbit të parë, të fjalës së parë nuk ka pasur mundësi ta ndaj me gjysmën tjetër të këtyre fruteve. Kur gëzimi i klasës së parë, i festës së abetares, i librezës me pesa i është përgjysmuar e i është hijezuar me trishtimin e mungesës së babait të fëmijëve të saj. Kur në sy të fëmijëve i është dashur të përbijë lotët e pikëllimin dhe të trilloj lloj lloj tregime për vendndodhjen e babait të tyre.

Lufta dhe sakrifica e z. Haradinaj dhe familjes së tij nuk ka përfunduar as në qershor të vitit 1999, e as në shkurt të vitit 2008, ajo po vazhdon edhe sot. Çmimi që ai dhe familja e tij po paguajnë ëshë tejet i lartë! Z. Haradinaj i ka dal zot vendit sa herë i është kërkuar por a do t’i dal zot vendi z. Haradinaj kjo mbetet për t’u parë…