A t’kafshon vemtia apo asht kafshat q’i kapërdihet sot?  Gjithnji më ka intrigue kjo puna e të qenit vetun, si fëmijë më kujtohet kur për njerëz të tillë asht bisedue me nji përçmim e aty këtu edhe me naj fije mëshire, për fatin e tyne ogurzi thue se dikush i ka mallkue keq. Tue dasht me i heq mallkimet e mësyshin e dreqin e t’birin mileti shkojke tek hoxhallarët apo ata ma të dëshpëruemit tek mgjitorët a magjistarët të cilët mandej me naj dua a hajmali a hokus pokus e largojshin të keqen.

Kështu pra, pasi qi largohej mallkimi, krejt farefisi e shoqnia e kojshia qoheshin në kambë me i “rahatu” fatzitë, duke i këshillu në stilin: “Kush te dera s’vjen me të lyp po qu dil”, “Shumë po zgjedh ti se deri tash e kishe gjet dike”, “A bash kurgjo s’ka të re a” e të ngjashme, deri tek propozimet për filan vajzën/djalin e qikës hallës, tezes, dajës e dreqit e t’birit, ani qi bash asnji lidhje me preferencat e tua apo të personit tjetër nuk kanë. Qëllimi asht me u rahatu me çdo kusht se ndryshe nuk bahet.

Kjo mendësi, qi instalohet në vogëli, e qi asht trashigua prej brezit në brez, na e ka fut tutën prej të ndejturit apo të qenurit vetun si nji diçka qi nuk kapërdihet, nuk pranohet, si nji diçka qi as normal nuk asht! Dhe kështu falë presionit shoqnor e familjar e orës biologjike vajzat por edhe djemtë i ulin standardet, në disa raste krejt përtoke, për me arrit qëllimin përfundimtar të ekzistencës së tyne pra me u ba qift, edhe me e shtu farën tonë iliro-pellazge. More bre hiq s’ka lidhje a keni naj pikë takimi në vlera a ushqim a horoskop, hiq, ngaqë me kohë mësohesh apo thënë në stilin e dashamirëve “Me nji dynja, kush mirë se ka, veç kush t’rren”. Me automatizëm pra duhet me u pajtu me aq, me e dijtë qi kie me e pas keq se ashtu e kanë krejt, mos me ba fort zhurëm dhe mos me kërkue shumë se ti açik dynjas nuk je, e dynjaja pra asht e tillë.

Frika prej të qenit vetun asht prezente edhe në kulturat tjera, por ja qi te na prezenca e saj, pas nji moshe të caktueme ja nis me të ngulfat. Nji studim/hulumtim qi asht ba në Universitetin e Torontos në vitin 2013 ka ardh në përfundim se frika prej të qenit vetun rezulton në uljen e kritereve/standardeve për të dy gjinitë, veç kësaj, frika prej të qenit vetun asht edhe nji parashikues i saktë qi ata persona do të pajtohen dhe kërkojnë shumë më pak prej partnerit dhe marrëdhanies, për ma keq, ata qi veç janë në nji marrëdhanie të tillë, pra nji qi nuk ju afron asgja, prej asaj frike qëndrojnë aty biles shkojnë nji hap ma tutje tue lidh edhe kunore, ngaqë kjo frikë tek ne ushqehet edhe me pritjet shoqnore e kulturore, për të degjenru ma vonë kur lëndohen edhe qenie krejt të pafajshme e jomeritore. Tue i ik nji të keqeje të vogël bahet nji e keqe e madhe.

Andaj, ju vajza dhe djem, shoqnia jonë asht e tillë, ajo na i ka gdhen në tru ato nocione aq sa edhe vet veten me e pa me turp edhe me e gjyku vetmine tonë si shenjë dobësie, por ju mos u mashtroni, bani sytë katër edhe tetë po ke nevoja. Asht përgjegjësi e jueja me e njoft veten pikë së pari, me e leju mendjen dhe trupin tuej me u përqëndru tek ju, me i zhvillu pasionet tueja dhe me gjet knaqësi në vetmine tuej dhe në asnji mënyrë me i ul standardet, por me u përpjek me u ba versioni ma i mire i vetvetes dhe tek atëherë do të merrni ata qi kërkoni, por jo me çdo me kusht dhe jo me standarde për toke sepse siç thotë populli: “Ma mirë hiq se flliqt”.