Sa ironike më dukej, së fundi, kur si anesteziologe kujdesem që dhimbja të zhduket gjatë intervenimeve të ndryshme kirurgjike, dhimbja fizike natyrisht, e për dhimbjen shpirtërore jam krejt e pafuqishme….

Thëllimi i këtij dimri të akullt përvjedhshëm kishte gjetë rrugën për të hyrë edhe në këtë dhomë të ftohtë, sa e ftohtë që është – mendova në vete – më e ftohtë se vet vdekja, sikur të mos më mjaftonte acari që më kishte ngrirë shpirtin tash e sa kohë. Ishte një ndër ato netët pa hënë, e zezë katran, kishte kohë që pagjumësia më ishte bërë e njohur, vajza flinte dhe unë isha mësuar të ushqehem, netëve të tilla, me pamjen engjëllore të saj. Nata e gjatë më bëri të dua ushtimën e erërave veriore që rrëqethte edhe vet frikën, ishte ajo ushtimë që prishte fikatjen e kësaj pafundësie të kobshme , por ama më shoqëronte, më ishte bërë e njohur, e dashur. Nuk e di a kam bërë ndonjë sy gjumë a jo, por mëngjesi kishte filluar të zë vend, zot agoi edhe kjo ditë – thash me vete – e çfarëdobotshme qoftë!

Vajzën e mbështjella mirë e mirë, kopshti i saj nuk ishte larg, vetura ishte në gjendje të mjerë por ia kam ndërruar baterinë së fundi  dhe ajo duhet të ndizet patjetër, thashë me vete. Zbehja e reflektimit tim në pasqyrën e ashensorit ma tërhoqi vëmendjen dhe papritmas harrova brengën e veturës. Grabitshëm më kaploi kurreshtja e teorisë së Maslovit për nevojat fiziologjike, kjo e gjumit sidomos, a thua ta ketë patur gabim ai, sa e sa netë pa gjumë dhe po funksionoj për mrekulli, a thua sa mund të jetoj njeriu pa gjumë…!

Vetura e vockël ishte ngrysur dhe pothuajse nuk shihej, i ishin bërë tre kulme. Gjithë kjo borë që paska rënë, ato dreq dorëza kurrë nuk i gjej kur më duhen, më ngrinë duart, gishtat e duarve nuk i ndjej fare, mirë… mirë disa minuta pasi e flaka borën tutje i thash vetes – kujtoje Lulin e vocërr të Migjenit ,ai e ka patur 100 herë më rëndë se ti – s’është gjë e madhe kjo. Vetura u tregua e këndshme dhe ndezi , vajza e kishte nxehtë, kjo është e rëndësishme i them vetes, hajde tash bëhu pozitive shijoje bardhësinë e borës, por këto broçkullat e teorisë së pozitivitetit s’po tregohen të zonjat sot, gishtat ende nuk i ndjej, ahhhhh! Prapë filloi kjo ana djallëzore e trurit të më cicëroj me kumbim:

“Të kishte qenë mbarë e mirë babai i vajzës do ta hiqte borën e do ta ngrohte veturën” .

“ Ik bre e zezë”, i thash,” hiqmu qafe ti, kot e ke, ik dorëzohu, e ke humbur luftën…, s’kam ndërmend të zemërohem më gjëra që s’më përkasin, shihe bukurinë e bardhësisë së borës”.

“E ke humbur luftën ti” – ma ktheu ajo “ ti ke dështuar, dështake, tash ai ja heq borën asaj këmbëgjatës 20 vjeçe, e ke vënë re se i ka këmbët deri tek qafa jote……të kishte vdekur të paktën, njerëzve do t’u vinte keq për një vejush, po kështu çfarë je ti, dështake”, kjo e fundit më jehonte në kokë, dështake – shtake – take – ke..

“Zot mos e bëjë, shyqyr që nuk është i vdekur, vajzës i duhet babai i gjallë” i përgjigjem vetes e trishtuar nga këto cicërima zemërligë  “e atij, atij do t’i rëndohen shpatullat nga këmbët e gjata, barrë e madhe janë ato – qeshem –  do të kërkoj më të shkurtra, apo më të holla, apo më të zeza, fundja njerëz jemi me një natyrë grabitqare, shpeshherë të pangopur, kush më shumë e kush më pak. E sa për keqardhje aq më bënë, asnjëherë nuk e kam kërkuar….”

Bora, e bukur, e bardhë, binte me lëmueshëm e fjollave nuk u bëhej vonë ku kapeshin, ku binin, kë preknin, nuk kishin fare krenarinë e të qenit të bardhë. E lash vajzën në kopsht, u bë vonë. Por më duhet të vozis me shumë kujdes, akulli shpërfaqej shpejt nën petkun e bardhë, aty – këtu ngriste kokën plotë krenari pasi kishte gëlltitë asfaltin e më përqeshte në fytyrë, më ftonte të adhuroja fuqinë e tij, krekosej me gjithçka që kishte zaptuar përfundi, e sidomos me kontrollin që tani kishte mbi mua dhe veturën time të vockël. Sikur të kisha ndonjë grirëse akulli – mendova – nga ato me maje të gjatë e t’ia ngulitja mu në atë buzëqeshjen e vetëkënaqur. Më shpërqendroj një fytyrë e njohur, dhe mirë bëri, ishte e kotë të bëja luftë imagjinare me akullin, në anën time të djathtë e pash, ishte ajo këmbëgjata, aty tek menza e studentëve, ishte ndalur dhe përpiqej të ledhatonte një burrë me flokë krejt kaçurrela, ia puthte duart, përpiqej ta përqafonte, i ishte ngjitur sikur ato macet lozonjare që katërrithen nëpër këmbë. Qesha me zë, a është e mundur që ai ti ketë bërë flokët kaçurrela, s’ka qenë asnjëherë tip që është dhënë pas modelit të fundit të flokëve, jo, jo s’është ai, nuk ka kokë aq të madhe dhe shpatullat i ka më të ngushta. Ajo tinëzisht e kapi për dore, për kyçi të dorës sikur i tregonte diçka për orën që ai e kishte vënë, e tërhoqi për dore dhe e zhvendosi në anën tjetër. Tani e pash, jo nuk është ai, burri qëndronte duarkryq e kjo përpiqej t’ia zgjidhte duart me një dinakëri të pazakontë për njerëzit, burri nuk jepte shenja zbutjeje, mllefi e kishte shpërfytyruar e kundërmonte gjer tek unë, e ajo e puthte, në rrugë, në mëngjes, këtë mëngjes dhe unë isha aty….

Semafori i kuq, plotë 96 sekonda pritje….Sa afër isha tash, mendova t’i fotografoj, por ç’më duhet – thash me vete. Boria e veturës prapa më bëri t’i kthehem rrugës, adhurimit të akullit, që pavetëdijshëm e kisha harruar për pak çaste, por kisha ende mundësi t’i fotografoj, e nxora telefonin, dhe e bëra, në fakt i bëra disa, krejt pa keqardhje, pa respekt, sikur ato paparacit e bajatshëm. Por këto fotografi nuk do t’i zënë faqet e para të shtypit rozë, ajo nuk është yll e as unë nuk jam paparaci, do t’ia dërgoj atij – mendova – ta provoj edhe ai këtë shije të hidhur që ma kishte servuar mua, t’i bëhet zemra copë copë sikur akulli që do të thyhej me atë grirësen që mendoja t’ia ngulë, a thua zemra si do të bëhej me po atë grirëse, sa shpejt do t’i fshihej nga fytyra po ajo dukja krenare, sa shpejt do t’i tretej, këto fotografi do t’ia ngulin grirësen në loçkën e zemrës….Ehhh po sikur të mundja,  por jo, jo – mendova – sado që ideja e hakmarrjes më sheqeros shpirtin nuk mund ta bëjë, dhe nuk do ta bëjë, boria e veturës prapa nuk ndalej, ora kishte shkuar vonë, ah sa vonë u bë…..sa e bukur bora, edhe akulli filloj të bënte dritë…

Parkingu i Klinikës të Pediatrisë duket të jetë i bllokuar, po si nuk kujtohet ta pastrojë borën dikush këtu, do ta bëja vet, mu tani, po t’i kisha dorëzat dhe një lopatë dhe po të mos më prisnin pacientët e shumtë, shikoj orën – jam vonë, me memzi e gjej një vend për t’u parkuar, mirë do të arrijë me kohë për vizitat e mëngjesit, të paktën nuk kam ndonjë operacion të planifikuar për sot.

Koha e drekës, bie zilja e telefonit, është shoqja ime kokëkrisur, edhe zilen në telefon ia kam vënë të tillë siç është edhe vet, që me ta dëgjuar të çohet trupi peshë të karikon me energji të mirë, dhe gjithmonë ka diçka të re tek ajo, çdo herë vjen me risi. Ti tregoj tani kësaj për aventurën time të mëngjesit apo jo – them me vete – deri sa e hapi telefonin:

– “Alo, mos më thuaj që je pranë Klinikës se do të dal e të gjuaj me borë” – i them duke qeshur; tash e sa kohë e praktikon këtë zakon të prapët kur vjen pa paralajmërim dhe ashtu shkujdesur pa e çarë kokën fare kërkon me ngulm të takohemi.

– “Tung, oh ti qenke me humor të mirë, sa mirë, shumë mirë, unë ashtu…mmmm u tmerrova për ty, e di që hiqesh si e fortë por ta njoh brendësinë e brishtë, jo, jo nuk jam pranë Klinikës por mund të jem aty brenda 5 minutash, mos më sfido”, dhe qeshet por ka diçka që nuk shkon – mendoj – çfarë mund të ketë pjellur në këtë acar?

– “Mirë jam, pse të mos jem?”

– “Ohhh, nuk paske dëgjuar ti, ehhhh çfarë ironie edhe tragjike në fakt, merre me mend, këmbëgjata kishte patur aferë me një agjent të patundshmërive, si duket kishin pas konflikt në rrugë me ç’rast ai e kishte shtyrë dhe ajo ishte rrëzuar përtokë duke u shkelur nga një kamion që barte mobile, shoferi i shkretë po thonë që është në gjendje shoku, nuk kishte pas mundësi të ndaloj për shkak të rrugës së akullt dhe gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt, e ajo kishte vdekur rrugës për në spital, po ndjej pak keqardhje nuk e di kam emocione të përziera… ”

Emocione të përziera, në të vërtetë kisha edhe vet, në sekondë u tmerrova, për shoferin e kamionit por jo aq për këmbëgjatën…. Më pas pësova një tronditje nga mungesa e ndjeshmërisë sime, koka filloj të më mpihej sikur kur e zë dorën apo këmbën  keq dhe të mpihet, ashtu njësoj, frika ndjeva se filloj të më pushtoj, teksa më dridheshin duart plasa në vaj, për prindërit e saj të shkretë, për këmbëgjatën, për kaçurrelin, dhe për atë… po po për babain e vajzës sime, për mendimet e mia të errëta të mëngjesit…..Ishte ndjesia e fajit ajo që mbështolli  e po më zinte frymën, kot kisha hapur dritaren, kot më ishte mpirë edhe trupi përtej kokës, ndjenja e fajit më kishte shterrë gjithë energjinë, kisha harruar edhe telefonin hapur, çjerrja e shoqes sime kokëkrisur më zgjoi:

– “Aloooooo, aty je, jam nisur, do të jem aty shumë shpejt, më dëgjon, alooo..”

–  “Të dëgjoj, po të pres” ia ktheva me gjysmë zëri dhe u ula pranë dritares ku mezi prisja t’ia shoh veturën, të shkarkohem – mendova – e të karikohem përsëri!