“A më me qef s’do të kishe folur fare me mua Halla Vlorë”, më tha Narti në një anglishte të përkryer, si duket për t’i dhënë fund këmbëngulësisë sime që të flas vetëm Shqip, dhe derisa unë e merrja veten nga ajo deklaratë në heshtje të plotë, ai vazhdoi duke thënë “Ti je aq person i mirë” që më la të kuptoj se më këmbëngulësinë time po bëhem person i keq për atë të paktën, nipin tim më të dashur. Sa të jetë në Kosovë, mendoja me veten, me një ekspozim më të madh ndaj shqipes do t’i rikthehen njohuritë që i kishte dhe pastaj shpresoja se do t’i përforcohen ato nëse edhe i flasin shqip në shtëpi. Dhe kjo dëshirë nuk është e nxitur nga ndjenjat e tepruara kombëtare e nacionaliste, por si gjuhtare, fuqimisht besoj se fëmija ka një kompetencë të mahnitshme të përvetësimit të aq gjuhëve sa i fliten.

Noam Chomsky, një prej linguistëve më me ndikim në këtë fushë pohon se fëmijët lindin me aftësi të trashëguar për të mësuar çfarëdo gjuhe njerëzore. Ai pohon se disa struktura gjuhësore të cilat fëmijët i përdorin në mënyrë të saktë duhet të jenë të ngulitura në trurin e fëmijës. Chomsky beson se çdo fëmijë ka një ‘pajisje për përvetësim të gjuhës – PPGJ’ (language acquisition device) e cila kodon parimet kryesore dhe strukturat gramatikore të gjuhës në trurin e fëmijës. Fëmijët duhet pastaj vetëm të mësojnë fjalë të reja dhe të aplikojnë strukturat sintaksore nga PPGJ për të formuar fjali. Megjithatë, të gjithë fëmijët, pavarësisht nga aftësia e tyre intelektuale, bëhen të rrjedhshëm në gjuhën e tyre amtare, brenda pesë apo gjashtë vitesh, natyrisht nëse i ekspozohen gjuhës amtare.

Faktori kryesor që nxit përvetësimin e gjuhës duket të jenë informatat që femija arrin t’i marr. Pra, sa ma gjatë që fëmijët t’i ekspozohen një gjuhe, sa më shumë që zhyten në komunikim në atë gjuhë, aq më mirë do t’a zotërojnë atë. Hipoteza e inputit (informatave, të dhënave) është zhvilluar nga gjuhëtari Stephen Krashen i cili bënë një dallim në mes të përvetësimit të gjuhës dhe mësimit të gjuhës. Ai pohon së përvetësimi i gjuhës është një proces i nënndërgjegjeshëm (më i natyrshëm), ndërsa të mësuarit është i ndërgjegjshëm. Sipas kësaj hipoteze, procesi i përvetësimit të gjuhës së dytë është i njëjtë me atë të përvetësimit të gjuhës së parë dhe shkon aq largë sa që pohohet se inputi pra është e vetmja gjë e nevojshme për të përvetësuar gjuhën. Fëmijët që i ekspozohen dy gjuhëve paralelisht që nga lindja, sipas studimeve dhe statistikave, arrijnë zotësimin e të dy gjuhëve sikurse fëmijët që i ekspozohen një gjuhe të vetme.

Përderisa shkencëtarët vazhdojnë të eksplorojnë mënyra të ndryshme mbi përvetësimin e gjuhës tek fëmijët, të gjithë pajtohen se dygjuhësia apo bilingualizmi nuk shkakton konfuzitet tek fëmijët.

Për më tepër, një studim i Elizabeth Peal dhe Wallace Lambert të Universitetit McGill në Montreal ka dëshmuar se ata që flasin dy gjuhë kanë treguar superioritet të përgjithshëm në teste të intelegjencës dhe në arritje shkollore krahas atyre që flasin vetëm një gjuhë. Ndërsa, në anën tjetër Dr. Andrea Mechelli i Kolegjit Universitar London ka publikuar të gjeturat e hulumtimit të ekipit të tij i cili dëshmon se dendësia e “materies grei” në skanimet e trurit të majtë ishte më e madhe në ata që kishin përvetësuar dy gjuhë se sa tek të tjerët që flisnin vetëm një. Pasi që ana e majtë e trurit është përgjegjëse për përpunimin e informacionit dhe kontrollin e aspekteve të perceptimit ndijor, kujtesës dhe të folurit Dr. Mechelli ka arritur në përfundim se kjo rritje ishte më e theksuar tek fëmijët që kanë mësuar një gjuhë të huaj para moshës pesë vjeçare.

Gëzimin kur jam bërë hallë për herë të parë nuk besoj që ka fjalë që mundet t’a përshkruaj, nipi im i parë, Narti, erdhi në dhjetorin e bardhë me një fytyrë diellore, më dukej se rrezatonte bardhësi prej Suedisë së largët. Unë nuk kisha patur mundësi të isha atje prezente por më kujtohet që mami (ndjesë pastë) bashkë me motrën më ushqenin me secilin detaj, deri tek ngjyra e kakës të cilës çuditërisht ndjeja nevojë t’i marr edhe erë. Unë nuk kam pas halla, dhe si çdo njeri që nuk ka halla, mezi s’pritja të bëhesha hallë, pastaj dashuria për Nartin çdo ditë e më shumë më rritej, edhe pse ai ishte mbi dymijë kilometra larg unë besoja se forca e dashurisë sime me shpejtësinë e dritës do të arrijë ta mbështjell Nartin rreth e rrotull në Suedinë e ftohtë. Por atë që nuk e bëri distanca kam frikë se po e bënë gjuha! Unë u mendova mirë e mirë pas asaj deklarate të tij dhe vendosa t’i flas anglisht, gjuhë të cilën ai e flet në Kosovë, por paralelisht secilën fjali ia them edhe në shqip vetëm sa për t’ia parë atë shiqimin e habitur në sytë e tij se si nuk u mbusha mend tashmë të heq dorë prej përdorimit të shqipes.

Andaj, bashkë-atdhetarë të dashur, e di sa të vështirë duhet ta keni, e di se duhet të integroheni, i kuptoj faktorët social, psikologjik e kulturor, por po ju përgjërohem flisni shqip me fëmijët, të paktën në shtëpi, bëjeni për ata, për zhvillim të aftësive të tyre, ngase siç po e shihni fëmijët që përvetësojnë më shumë gjuhë kanë edhe rezultate më të mira në shkollë. Bëjeni për vetën, për komunikim të shëndosh, për dashurinë, bëjeni për hallat, për gjyshet, për dajët e tezet, bëjeni për fëmijët tuaj!