Shpija jonë âsht e nemun, e smut, humnerë!

E nuk ka ditë të zotit

Kur gjaku nuk gufon prej plagëve t’reja

E nuk ka ditë të zotit

Kur dikush nuk kjan’

O shpija jonë asht e nemun, e smut, humnerë!

Në shpinë tonë njerëzit therren si ânxat helmuese

Në çardak, ku fenerat dhezén në nji spirale t’pist

Bartin sandukë të zezë

O, sa shumë shpirtna te nâ në shpi shkrihen

E njerëzit dëshprueshëm bërtasin tek shkallët në spirale

Sytë e grave t’smuta, qi lajnë rrobat në avull

Në nji bollur t’naltë si zjarmia e etheve!

E bërtasin shkallët e trishtueme t’zeza,

Në shpijën tonë njerëzit e gratë me tutë n’shpirtë puthen.

N’kulmin e shpisë tonë k’non qyqja e zezë,

Edhe inatet fytafytas hahen n’shpirtat e njerëzve;

Në kulmin e shpisë tonë Deka kângën e vet harpon

E mbi shpiën tonë djeget harku yjnor.

Edhe inatet na hahen,

Edhe orenditë na thehen,

Edhe njerëzit përlahen,

E llahusat bërtasin.

Veç apet diku thanje t’liga

lejn

e dëshmorë t’ri bijojnë

e diku harpa gumzhin’

I dalldisun ndonji aty andrrat e tij i vajton të vdekuna.

E kjo âsht e tâna.

Përmallim
T’kap ashtu ndonji natë vjeshtet,
Kur g’shtenjat derdhen mbi asfallt e kur qent’ ndigjohen n’largësi,
E kur t’kap ashtu papërshkrushëm malli për diké,
Qi ish kân i mirë, i joni, i afërt, intim, jaran,
Qi kishim mujt me ja shkru nji letër.
I kishim rr’fy krejt çka nâ flen mrena.
Letrën ja kishim shkru por ai nuk âsht.

Shqiperoi: Vlora Konushevci

 

Miroslav Kërlezha lindi me 7 korrik 1893 në Zagreb. Ai njihet si njëri ndër shkrimtarët më të shquar kroat dhe figurë kyçe në jetën kulturore të të dy shteteve jugosllave, Mbretëria (1918-1941) dhe Republika Socialiste (1945 deri në vdekjen e tij 1981). Një një kohë Zëvendës Kryetar dhe Sekretar i Përgjithshëm i Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe Arteve, ai shpesh është konsideruar si shkrimtari më i madh kroat dhe më gjerë i shekullit të 20.

Kërlezha veç poezisë ka shkruar edhe romane, drama, tregime të shkurtëra, novela dhe ese të ndryshëm. Krijimet e Kërlezhës janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës dhe janë vlerësuar lartë duke u shpërblyer edhe me çmime prestigjioze.