Po m’tingëllon titulli si kundër reklam e shweeps tonikut, ai asht për burra, por ky shkrim nime për burra me mustaqe nuk asht, n’fakt sdi edhe a ka ma asi! Ky asht për gratë që kanë pas burra por ma nuk kanë, çfar’do koft arsyeja e mospasjes së tyne të matutjeshme. S’due me u keqkuptu se edhe burri njajt si gruja e ka vendin e vet si në familje si në shoqni, kjo nuk asht tema e këtij shkrimi por ama kur e gjen veten vet (aka solo) kështu papritë e papkujtue, janë disa raste kur fakti që s’ki burrë të cokat në krye. Ky shkrim ka për qellim me ju argetu edhe me ua mësue dy tre trika qi mu përvoja mi ka mësue.

Due me ju diftu rastet kur ma ka rrok qi s’kam burrë!

Herën e parë kur e kam ndje cokatjen n’krye ka kenë nja tre-katër javë mbas ndamjes. Kur shkova me u furnizu me gjana ushqimore në supermarket, pa mendu hiq, e simbas shprehisë morra shumë gjasende ushqimore thue ti nji ushtri kam me ushqy, e tek kur mbërriva te kaca ma rroki! Qysh i qoj tash krejt këto vet? Plus me djalë të vogël qi kurrë dorën s’ma lëshojke. Prej inatit qi m’kapi për budallak temin i kapa krejt keset e nji nga nji i rendisa nëpër parakrah deri te brryli ne dy duert krejt rend si qejz, djalit i thash kapmu për maje të setrës, kryet naltë, tâkat mbi pesë centimetra, shpindën drejt, e si naj ushtar i denuem marshova për n’shpi, ku as lifti nuk punojke. Me buzëqeshje biles, për inati t’vetes, e kryva këtë detyrë me plotë krenari ani pse i ndjejsha djersët në shpindë a duert nja tri ditë nuk i kam ndje.

K’shillë vedit: Blej shpesh e ka pak, gjanat t’prishen e kur s’ki burrë nuk rrin’ te shpija aq shumë, e mira e k’saj pune asht qi s’ki nevoj as me ba bukë përdit’  😉 e bukuria ma e madhe flen n’faktin qi s’ndigjon ma komente të tipi: “A nuk boni ma pak kryp mi qit a?”, “Diçka pi vjen nifar ere”, “Apet pasul a” dhe kryevepra: “Nana jem valla ma mire e ban!!!”

Kurr s’ki burrë me keqardhje m’duhet me ju njoftue qi s’ki navigator. Unë kam qef me udhtue në rajon, edhe pse vozis qe shumë vjet kur e ki navigatorin (aka burrin) diqysh dembelavesh e priton me mendue. E kur ja nisa k’saj aventure solo, unë si grue bjodninë, nuk pritojsha me u ndal e me pyet për udhëzime, por kur ma përmendke dikush perëndimin a lindjen flokt përpjetë mu çojshin. Jam pas betu me e ble nji busull! Po qe hala nuk e kam ble e hala s’di mu orientu.

K’shillë vedit: shkarkoje nji navigator qi punon pa internet, me naj zâ t’kandshëm qi nuk t’i shtin ethet. Kjo larg ma mire së kur e ki burrin në karrikën tjetër t’bahet si kasetofon i prishtë: “Këto pasqyret anash nuk janë për zbukurim”, “Vallahi ti nuk sheh mirë”, “Duhet me mbajt distancën normal që e rrok”, “Me gjithë këtë za nuk e nin as policinë me t’u lshu përmas” “Khuuu bre apet e paske grith”! Në vend të k’saj kange monotone e lëshon Majk-un deri në maksimum: “S’jena mooooo” edhe qjerresh te refreni aty “Amo ti e zgjedhe gurin hupe diamaaaant”!

Fustanet me patent mbrapa paraqesin sfide në veti! M’kujtohet kur si grua “solo” (fort me pelqen kjo solo mos ma prishni) gjithë ato fiskulltura i pata ba me e përtheku atë viron, me pas ushtru yoga thojsha vet me veti e kishe përtheku deri tash moj idiote se s’po ki çka me vesh tjetër. Edhe pse kesh tu u përzhdredhë ajo parolla qi ja thosha vetes ti krejt vet mundesh me i ba  s’më lejke me hjek dorë.

K’shillë vedit: Gjeje nji shufër metalike me grep, fute grepin tek bira e patentit edhe manovro. Edhe fëmijët janë të përdorshëm për këto punë veç duhet me i mësu, kjo asht ma mirë se sa për nji fustan t’dreqit me ja fut vaj me sabah si fëmijët kur kajnë për krejt diçka tjetër!

Edhe tegllat me i qel vet ish goxha punë! Mos u mashtroni qi vyen forcë fizike jo! Aty e përdorni ndonji pirun apo thikë me ia nxjerr ajrin njiherë e mandej me kollajllëk hapen tegllat.

Për me ua ndrru bateriat atyne lodrave qi qelën me shafciger, e për plot do punë tjera të shafcigerit youtube është shpëtimtari jem. Çkado qi t’ju vyen e keni në youtube hap pas hapi, ma mire me i kry vet se sa me prit: “Deri të kryhet loja”, “Deri ta pi këtë birrë”, “ Veq të takohem me filanin se urgjent njifar pune”, “Kadale se jam lodh a jeta prej saj po t’varet a” etj etj.

Pra, gra të dashtuna, pak ka gjana të vështira (punë burrash) qi s’mundemi na me i ba. Pak e hiq! E ju burra t’guximshëm qi e keni lexu deri këtu, kini menjën! Unë s’po them qe jeni krejt të papërdorshëm edhe të panevojshëm se diversiteti asht kyç në lulzimin e nji shoqnie të mirëfillt, por trajtoni gratë si të barabarta dhe me shumë respekt, duke ua dhanë vendin qi e meritojnë n’shoqni!