Qysh m’gërryen malli për ty
sikur treni shinat e vjetruem
fishkëllima e tij ma merr paqen
e ulë n’vagonin e parë.
Rehatinë e shoh tek më del prej shpirtit
minut për minut, copa copa
nuk e di qysh përbirohet
kur dritaret i msheli, edhe dyert,
veç derën e dhomës tande e la hapun,
e përkdheli shtratin që ka nis me t’ra i vogël
dinosaurat aty janë kthye përmbys,
e kanë fut kryet nën jastak
po tuten prej pluhnit që e ka mbulue shkëlqimin.
Due me ju falë dritë, bie me ta
tu u mundu me thithë nji troh,
qenje tanden,
që ka mbet n’ajr e mu mush frymë bile pak.
Ç’rregullohem, ç’orientohem
Çoroditem!
Mbahem veç për hijen tem.
Jetoj si nji lugat i kurdisun,
me alarme sabah e aksham.
Nanë e pazoja që hala nuk u mësu
mallin me zotnu
E ti i vogli jem
pa i pas kujt borxh
za nuk ban;
I përgjysmuem në dy shpija,
dy dhoma,
dy palë pushime,
e mallin n’gojë se nxen.
E ndanë diellin e pranverës
edhe t’kuqrremtën e vjeshtës
edhe sytë na i jep hua
me mujt m’i ndigjue kangët
e harrueme,
E za nuk ban!
Lini një Përgjigje