Kërko

Me dorë në zemër…

Me zemër plot

Kalo te lënda
  • Blog
  • Poezi
  • Përkthime
  • Rreth meje
  • Contact
  • Tregime të shkurta
Open Search

Skllavnia

Skllavnia

Poezi e shkruar nga Vesna Parun, e përkthyer nga Vlora Konushevci.

Jam grue …
Rrëfimi jem i lashtë e i trishtuem
asht dridh i ngujuem
para ndërgjegjës shkamb të maleve.
Mos m’gjykoni
deri sa te k’noj këtë himn t’vërtetë
për gruen e skllaven e shqiponjën
që ka fluturue në qiell.

I kam dashtë djemët ma t’hijeshëm
në këtë lugine e n’krejt luginat
ku rrjedhin lumenjë t’pa zhurmë e t’pa trazum.
Te kishit dijtë qysh i kam dashtë
kishit vajtue. Te kishit dijtë ju qysh kam ague n’gjinin e tyne
ju kurrë s’kishit fjet rahat
ngat grues a pyllit
e as ngat prushit të zjermit.

I kam dashtë si një gërmimtar terrenin e huej
ku turret, pa u përcjell prej kujt.
S’ka moqal që nuk e kam shkelë
as trung që nuk i kam ra n’gjuj
as udhë malore që nuk ju kam falë
tue kërku shpëtim.

Dashnia asht kanë ma e fortë se unë.
Trupi m’asht dridhë.
Kur e ka prek lumtuninë, udhë kryeshtrueme
që iku n’pafundsi.

O, ju që i shtjerrni lotët
për çdo ndamje, për çdo lule
për çdo dallg’ që humbet në det,
ju, qe i rueni kofshët për dhimbjen ma t’madhe
e që mbeteni t’poshtnueme para fatit;

Nimomni ta shkrepi hiçin e shkëlqimit tonë
dheun e bukurisë që na asht derdh.
Barra e dashnisë nën t’cilën jemi thye
tue bajt me besnikëri, si me pas bajt nji fryt që s’hiqet
prej mitrës tonë të zezë. Si me pas bajt
fenerin e mallkimit t’jetës.

Unë s’jam asnji pikë ma e dijshme se ju.
Udha jem asht e njajt me udhën e lumit
që s’mundet me ju shmang tatëpjetës së burimit
e tue pushue nuk e vogëlon skllavninë e tij.
Kqyrni supet e mia.
Plagët njaty janë të njajta me t’jujat.
E rrudhat rreth buzëve t’mia
janë ma t’idhta se vitet e durimit
se pelini i heshtjes.

Mos i mshelni dritaret çika!
Ky asht zani juej, ky za
i nji nate të trembun që e ka kapërcye
skllavninë e vet, e don me u ba shqiponjë.
Dilni jasht’ edhe keni me pa
qysh bie në gjunj para secilit prag
që asht gjunjizue Grueja.

Asnja prej juve s’ka kenë
ma e nënshtrueme se unë
edhe asnja prej juve nuk ka dhanë çehre,
me aq nënshtrim e aq pezm
me mujt me shikue mbi majat e pishave
ku janë shqiponjat
e ku asht dashnija.

O, çka asht për mue me e humb nji krah, nji dritë t’synit
çka asht me i shkrumbue disa pranvera
disa gurra, e t’korrat ma t’bukura
që kurrë s’kanë m’u kthye!
Çka asht për mue me kapërcye mallin
e kullosave të fëmijënisë tem dhe qytetin e rinisë tem.

Ju pata dhan’ rahatisë së dashnisë.
E kam kajt kur era
e ka troshit kunorën e saj në stuhi.

Dashnia asht kanë ma e fortë se unë,
E burri asht kanë tempull
me kryenaltsinë e florinit prej andrrave t’mia
n’shtyllat e kryeultësise tem.

Kur ka fjet, në maje t’gishtave kam zhdryp
te pragu, e kam ra në guri
tue u mbulue me yje t’laguna.
E kur asht çue, i kam vajtue duert e tij
t’lodhuna njajt si kur e ndrydhin bukën
si kur e bajnë armën a flamurin.

I diftojsha që rininë tem
hala nuk e ka prek nata.
E i mshefsha lotët që me m’besue.

E kur n’syte e mi e diktojshin buzëqeshjen
me t’cilën grueja ja jep vedin përjetë
atij me kend don me e nda sekretin,
ata e kthejshin kryet larg ftyrës tem
e shikojshin diku n’largësi
ziliqar për lirinë
e zogjëve krah hapun
që e kishin zgjedh bollëkun e dritës
e kishin hjek dorë prej luginave bukuroshe
prej t’cilave ata s’mujshin me hjek dorë.

E m’përqafshin harrueshëm
e urrejtshëm. E m’çveshin
si nji fajtore, jo si grue.
Dhe ato kambë më kanë shkel,
dhe ato duer më kanë rreh,
dhe ato gojë më kanë përqesh gjithkah.
Por unë kam vazhdue me qesh
paepshëm e pafajshëm.
Unë i kam dashtë.
Ju kam diftue që janë të mirë e të urtë
e i kam mshef lotët që me m’besue.

At’herë më përkëdhelshin
qysh e përkdhelin mbretërit skllaven ma t’dashtun.
E unë në duert e tyne ndjejsha
gjakimin e zemrimit të qenijes. E në zanin e tyne
vajtimin e ujqve në shkretinë.

Pasha rininë tem, qe, kam dëshmitarë,
pluhni i kësaj udhe edhe ky bunar
që ja thirra amullin.
Kur i shikova, ata u banë ujqi.
Ajo u ba nime shkretinë e terr,
e unë veç gjah, e ngashnyme buzë shpellës
në pleh të gryksave, para kambëve të zaptusve.

E ata vazhdojshin me shikue gjakftoftë
në nji leçe t’florinit në qiell, që u çojke nalt,
e cila unë kujtoj që asht kanë shqiponjë
që fluturojke mbi lugina.

E kur taman besuan
në afrinë tem në ekzistencën tem,
unë shikova atje ku shikojshin ata
në largësitë e kaltra t’gjetuna, në naltësitë
udhë që i kapen veç ma trimat.
Dishrova edhe unë me kenë zog i florinit,
shqiponjë krah-hapun midis qiellit.

At’herë u ndala me qesh.
I çela dyert hap e krah e qesha, qesha
prej barit e mullarëve t’grunit,
deri tek toka e zezë e erës
me t’cilat ma kishin ngjesh takatin.

E qeshja jem u çue n’agim
e u derdh deri në reshjen e yjeve t’ para.
At’herë kam ra me fjet e lodhun
si me pas ecë maleve.

U habita prej atij udhëtari tinxar
që e kish frenue kalin
nën këtë kodër, në këtë zallë.
E po lyp bujtinë në prag të grues.
E po do më ja knue nji ninull
unë, që e përbuzi ambëlsinë
veç me mujt me shtri t’vërtetën tem.
Unë, që epshin e t’nesërmes
e ndjej n’fluturimin e zogut t’humbun.

Edhe kryet e kam kthye
që dëshirën n’ftyrë mos me ja pa.
E kam ndalue s’qeshni.

E kam ik’ tinxa n’vaj. Kam ik’ krejt sigurtë.
E mora udhën e pikëllimit me u ba kangtare e hallakatjes.

Unë ma s’kërkoj. E as besoj …

Nuk besoj në mirësinë e t’plotfuqishmit.
Mbaj mend qysh duert bahen kamxhi
edhe qysh përqafimi i burrit asht i frikshëm
kur t’pushojnë zaptuesit
e kur n’zanin e tyne t’andshëm
apet nigjohet vaji i ujqve.

Pra, djem të luginës teme,
mos m’besoni kur shtrihem pranë juve n’bari
zemërbutë e nënshtrueme si kaprolle.
As kur t’ju ushqej e pëlqej
as kur e hupi besnikërine tuej
n’kambim të nji reje pranvere në naltësi,
për stuhitë e zemrës tem t’ndryshueshme.

Se, mjer ai që m’beson mue
e që e bjen kopenë e tij
para strehës tem, me ushqye!

Unë kam me lan’
n’dakik kur terri t’i mbulon fushat.
Kam me dhanë çehre
e me i shkelmue lulet që më keni dyzdis.
Kam me u dridhë, se trungu, n’largësi asht
madhështor, e dashnija juej e vocërr.
E shkëlqimi juej para shkëlqimit t’agut
asht i fishkun e i gjymtë.

Shkoni udhës tuej, të dashunuem!
Tupani jem s’rreh për vesh t’juej!
Dashnia asht kanë ma e fortë se unë.
Po kanga asht ba shqiponjë
edhe e ka lanë luginën e vet.

N’udhë të maleve t’mavihta fluturojnë shqiponjat
e nuk kthehen ma.

Ky asht rrëfimi i grues e skllavës.
Himni i dashnisë së poshtnueme.
Kjo asht kanga e t’vërtetës tem
që asht e vërteta e t’braktisunve….

Vesna Parun, e lindur në vitin 1922, është një nga poetet më të shquara të letërsisë kroate të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Përmbledhja e saj me poezi me titullin: ” Bljesnula je naglo i u punom sjaju zbirkom Zore i vihori” e botuar në vitin 1947, ka shënuar datën e zhvillimit e poezise së re të Kroacisë. Pas kësaj kanë pasuar edhe shumë përmbledhje tjera me poezi, siç janë:”Crna maslina” 1955, “Ropstvo” 1957, “Ti i nikad” 1959, “Koralj vraćen moru” 1959 e shumë të tjera.
Vargjet e saja j janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja si në gjuhën angleze, ruse, çeke, sllovake, sllovene etj.

Ajo vdiq në vitin 2010 në Stubičke Toplice në Kroaci.

Ndajeni këtë me të tjerët:

  • Twitter
  • Facebook
  • LinkedIn
  • Skype
  • WhatsApp
  • Reddit

Pëlqejeni këtë:

Pëlqejeni Po ngarkohet…

vlora konushevci

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Author archive Sajti i autorit
6 Korrik, 2017

Përkthime, Uncategorized

Previous post Next post

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Gravatar
Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. ( Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. ( Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. ( Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. ( Dilni /  Ndryshoje )

Anuloje

Po lidhet me %s

Enter your email address to follow this blog and receive notifications of new posts by email.

Bashkojuni 36 ndjekësve të tjerë

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.

Sipër ↑

Privatësi & Cookies: Ky sajt përdor <em>cookies</em>. Duke vazhduar përdorimin e këtij sajti, pajtoheni me përdorimin e tyre.
Për të mësuar më tepër, përfshi se si të kontrollohen cookie-t, shihni këtu: Rregulla mbi Cookie-t
Këtë e pëlqejnë %d blogues: