Në popull thuhet ra ky mort e u pamë. Edhe unë, jo që skam qenë e vetëdijshme ndoshta, njejt sikur ju që edhe jeni të vetëdijshëm, për dëmin që rrjetet sociale po ia shkaktojnë jetës tanë, por, ra një serial (Black Mirror), që thellësisht më shqetësoi kur u ndala dhe i analizova raportet ndërnjerëzore dhe mungesës së përkushtimit ndaj lidhjeve apo marrëdhënieve me njerëzit e afërt, duke iu falënderuar ndoshta pikërisht rrjeteve sociale. Nuk dua të pretendoj vetëm “zi e terr” sepse jam e vetëdijshme për dobinë e tyre, për gjetjen dhe komunikimin virtual që na mundësohet me shokët e shoqet apo të afërmit në anën tjetër të globit, për informatat e atypëratyshme që i kemi në shuplakë të dorës e që na i shuajnë hamendjet e kureshtjen por a kemi ne në fakt ndonjë vijë të kuqe? A kemi ndonjë takim me miq a familjarë kur e nuk ia lëshojmë sytë celularit? A po e dimë kur është boll? Apo jemi mishëruar aq shumë me jetën virtuale sa që kemi filluar të harrojmë si të komunikojmë në praktikë, dhe po mjaftohemi me këto muhabetet virtuale sipërfaqësore, apo po mjaftohemi me një “like” a “koment” duke u ndjerë mirë dhe ndoshta dobishëm pasi që ia kemi bërë “like” shokut/shoqes, i kemi parë fotografitë nga pushimet, ditëlindjet, argëtimet dhe supozojmë se ai/ajo është mirë.

E kur dikush na pyet për filan shokun/shoqen apo filan akrabanë ne i themi: “mirë është, e kam parë në facebook, ka qenë në pushim në filan vendin, bukur po duket etj, duke pretenduar se e dimë në të vërtet gjendjen emocionale të tjetrit sepse e kemi parë në facebook, dhe duke pretenduar se e kemi përfunduar misionin tonë duke ia bërë “like”. A thua e plotësojmë kështu nevojën dhe aq na bënë për të kuptuar në të vërtetë nëse është mirë, apo për të bërë përpjekje që të takohemi e të bëjmë muhabet sy më sy! A na ka humbur njerëzia apo është në rrezik për të ikur me erën! Në anën tjetër, sa realisht e pasqyron porfili në rrjetet sociale gjendjen emocionale të një personi të afërt? Cili do të jetë aq i çmendur sa të “marr tupanin” dhe t’i lajmëroj shokët virtual për gjendjen e tij/saj të rënduar, kur e dimë fare mirë sa pak “like” marrim për lajmë të këqija.

Rrjetet sociale ende nuk kanë zbuluar ndonjë skaner që do të mund të pasqyronte brendësinë dhe nevojat tona. Në kërkim të vlerësimit ne aty kontrollojmë se çfarë postojmë dhe e kontrollojmë perceptimin që ne dëshirojmë ta përçojmë për veten tonë tek të tjerët duke postuar fotografitë më të bukura, statuset i përpunojmë me fanatizëm, postojmë e ndajmë artikuj, faqe e këngë me vetëdije të plotë që do t’i argëtojnë të tjerët. Duke siguruar kështu atë imazh që e dëshirojmë, duke siguruar shokë virtual, të marrim “like” sa ma shumë në mënyrë që të plotësojmë dhe validojmë veten tonë prej njerëzve që ndoshta kurrë në jetë nuk i kemi takuar. Do të ishte ideale po që se do të bënim përpjekje që të paktën ata që virtualisht na përkrahin t’i takonim, por jo, ne mjaftohemi me “like”!

Sigurisht i kujtoni me nostalgji kohërat e shkuara, edhe pse jo aq të lavdishme, kur kemi jetuar nën dhunë dhe varfëri të çdoditshme por që kemi qenë të lumtur. Kohërat kur vinin mysafirët për çaj dhe gurabia! Ndërkaq sot, kur jetojmë të lirë, kur e kemi zëvendësuar çajin me verë dhe gurabitë me brumëra shumë më të sofistikuara, jemi të palumtur. Sot, në kohën e gjithë këtyre aplikacioneve që na e mundësojnë komunikimin e menjëhershëm dhe gjithë kësaj teknologjie që ka për qëllim të na socializoj, ne jemi më të vetmuar se që kemi qenë në të kaluarën. Studimi më i gjatë (80 vjeçar) bërë nga studiuesit e Harvardit mbi zhvillimin e jetës së rritur tregon se as pasuria e as fama nuk e bëjnë njeriun e lumtur. Marrëdhëniet e afërta janë ato që e bëjnë njeriun të lumtur dhe këto e mbrojnë atë nga pakënaqësitë e jetës si dhe ndihmojnë në shtyrjen e degradimit mendor dhe fizik të njeriut. Pra kultivimi i marrëdhënieve të afërta dhe të shëndosha, sipas hulumtimit, janë parashikuesit më të mirë të jetëgjatësisë së individit më shumë sesa klasa sociale, inteligjenca apo edhe gjenet.

Ndërkaq ne, kemi filluar të humbasim këtë kontakt, kontaktin fizik dhe me këtë jemi duke humbur edhe aftësinë e komunikimit verbal. Veç kësaj po u japim shembull edhe gjeneratave të reja se çdo gjë mund të arrihet përmes këtyre copëzave të teknologjisë dhe internetit. Duke mos dashur të minimizojë rolin jashtëzakonisht të dobishëm të internetit (si do t’u përgjigjeshim pyetjeve të fëmijëve pa Google) duhet të vetëdijesohemi edhe për dëmet që veçse janë bërë. Dhe duhet të pyesim veten a është kjo ajo çfarë ne duam? Çka pas facebook-ut, internetit, çka do t’i zëvendësojë ato. A jemi duke i shkatërruar kualitetet bazë që neve na bëjnë njerëz duke ndjekur ironikisht trendin e ri e të qenurit njeri, por ama njeri virtual. A ja vlen të bëhet një pazar i tillë? Kujtoje që jo, prandaj unë personalisht do të bëjë përpjekje të kultivoj marrëdhënie të shëndosha jashtë rrjeteve sociale, ndoshta disave edhe do t’u bëhem bajat duke i ftuar të takohemi për kafe e muhabete “prej vërteti”, dhe ju ftoj edhe juve miq të përpiqeni t’i kultivoni marrëdhëniet e afërta me njerëzit e dashur, pa prezencë të celularëve, të përpiqemi kështu të investojmë kohë, energji dhe dashuri në njerëz, në lumturi, në mirëqenien tonë sesa në marrëdhënie virtuale, apo aplikacione, e pastaj nuk i dihet ndoshta edhe jetojmë më gjatë.

Pasqyra e zezë (Black Mirror) është një serial fantashkencor britanik titulli i të cilit, sipas sqarimit të krijuesit të tij Charlie Brooker, do të thotë se pasqyrën e zezë e gjejmë në çdo muri, në çdo tavolinë, në shuplakë të secilës dorë e që është ekrani i ftohët e plotë shkëlqim i televizionit, monitorit apo celularit. Ky serial përqendrohet rreth temave të errëta dhe satirike që analizojnë shoqërinë moderne, veçanërisht në lidhje me pasojat e paparashikuara të teknologjive të reja. Edhe ky shkrim, i motivuar nga frika, është përqendruar në dëmet që teknologjia, në këtë rast rrjetet sociale, po i bëjnë jetës tonë. Ju ftoj që se paku të shikoni vetëm epizodin e parë të sezonës së parë, dhe uroj që edhe tek ju të zgjoj këtë emocion dhe të bëjmë diçka para se të bëhet tepër vonë.