Në vendin tem krejt kanë luftu, edhe unë që kam qenë në Bllace edhe ai që ka qenë në Zvicër prandaj kemi ma shumë veteranë se miza, ani që vendi na asht coptu.

Në vendin tem pakicat i dojmë tepër shumë, ju kemi dhanë të drejta e privilegje ma shumë se vetes tonë bile edhe rrymën ua pagujmë.

Në vendim tem të rinjtë e të rejat janë pasuri kombëtare, prandaj nuk zhvillojmë programe e strategji me i angazhu por i ekspozojmë kafeve që me e pa investitorët e huej potencialin me sytë e tyne.

Në vendin tem jetojnë edukatorët ma t’zotë në botë që e zhvillojnë planprogramin e tetë orëve për katër orë, prandaj në testin e Pisës kemi shkëlqy.

Në vendim tem ka ma shumë votues sesa banorë, këtu edhe të vdekunit votojnë e përqindja e përgjithshme e atyne që dalin në zgjedhje është e ulët.

Në vendim tem krejt jemi patriota, dashninë tonë për atdheun e tregojmë tu gjuejt berllog prej kerreve, prej ballkoneve bile edhe prej kuvendit.

Në vendin tem ka ma shumë burra sesa metra katror prandaj veç burrat udhëheqin gjykatat, institucionet, qeveritë e kuvendin.

Në vendin tem krejt jemi politikanë edhe krejt e kemi interesin e vendit prioritet prandaj kemi kriza të vazhdueshme politike se kuvendi s’po na nxen krejtve.

Në vendim tem ka procese gjyqësore që zgjatin ma shumë se vet jeta, prandaj gjykatave ua kemi ba nji pallat drejtësie pa dritare që me ua rrit efikasitetin.

Në vendin tem krejt jemi të mençëm prandaj lajmet ekskluzive përbahen prej banaliteteve se të tjerat i dimë.

Në vendim tem ka vrasës që denohen me nga dhjetë vjet burg, ata që vrajnë gra zakonisht, sepse veç jeta e grave këtu nuk asht e shenjtë.

Në vendin tem shërbimet shëndetësore janë pa pare por mos e baftë zoti me u smu se të kushton nji dreç e gjysë.

Në vendin tem kanë punu qeveritë aq shumë për atdheun sa që vdesim rrugëve e lumejve veç me ikë sa ma larg.

Në vendin tem krejt jemi jetima të papërgjegjshëm, prandaj veç ndonji kojshi aty këtu na len me e vizitu, ndërkaq shtëpitë e kojshive tjerë mujm veç në televizor mi pa.

Ky asht vendi jem, vendi i paradokseve të mëdha. Ky asht vendi ku krejt na kanë faj përveç vetes tonë. Vendi i Peter Pan-it, ku njerëzit kurrë nuk rriten. A kemi lujt boll? A asht kjo koha e fundit kur ne duhet me u rritë, me e pranu realitetin e me marr fajin ka pak secili apo me vazhdu me lujt deri kur s’mbetet ndoshta kush me lujt!