Perkthim

Në vitet e mia t’rinisë përherë jam mburr me faktin se fati asht quejt zonjë. Vërtet atëherë kishte aq pak njohje publike të prezencës së grues saqë unë ndjehesha personalisht e nderueme kurdo që natyrës dhe anijeve të mëdha u referoheshin si diçka femërore. Por, tue u pjek, filloi mos me m’pëlqy me u konsideru si motër e nji teveqeleje të paqëndrueshme siç asht fati, e ftoft si nji oqean dhe mendjelehtë si natyra. Shprehja “Nji grue ka gjithmonë të drejtë me e ndryshue mendjen” e ka ushqye aq fort imazhin negative të grues saqë e kam ba veten viktimë të nji vendimi pa e lëkund. Edhe nëse e kam marr nji vendim koti e të pamend, i kam ndejt mbas veç mos me u ba si “nji grue dhe me ndryshue mendjen.”

Me kenë grue asht punë e madhe. Jo pa kënaqësi madje edhe ekstazë, por prapëseprapë asht punë e pafund dhe e pamëshirshme. Me u ba nji grue e moçme mund t’kërkoj ndoshta veç me lind me gjenitale të caktueme, me trashigue gjene jetëgjatësie si dhe fatin mos me t’shkel ndonji kamion, por me u ba dhe me mbet grue kërkon ekzistencën dhe përkushtimin e nji gjenie.

Grueja që mbijeton e paprekun dhe e lumtun duhet me kenë përnjiherë e butë dhe e fortë. Asaj i asht dasht me e bind vetveten, ose me kenë në procesin e pafund t’bindjes së vetvetes, që ajo, vlerat e saj dhe zgjidhjet e saj janë të randësishme. Në nji kohë e shoqni ku burrat e mbajnë ndikimin dhe kontrollin, presioni mbi gratë për me i dorëzu të drejtat e tyne asht i jashtëzakonshëm. Dhe pikërisht nën këto rrethana qendresa e grues duhet me u dëshmue.

Ajo duhet me i rezistu idesë se asht një verzion i dobët i burrit. Ajo nuk asht skulptore, poete autore, jude, zezake apo edhe (tash rrallë) në gjuhën e universitetit rektore. Nëse ajo asht njana prej ktyne gjanave, atëherë për sensin e saj të vetvetes dhe për edukim të atyne që janë informue keq, ajo duhet me kambëngulë me ndershmëni me kenë ajo dhe me u quejt e ashtu.

Nji trandafil me çfardo emni tjetër mundet me pas aromë t’ambël, por nji grue me u quejt me nji emën zhvleftësus veç ka me u dobësu prej emnit t’gabuem. Asaj ka me ju dashtë me e çmue butësinë e saj dhe me kenë n’gjendje me e shfaq ata në kohën e duhun që mos me e leju forcën me ja marr autoritetin absolut dhe me ju shmang pasqyrimit të atyne burrave që e vlerësojnë fuqinë mbi jetën, dhe kontrollin mbi dashurinë.

Asht e domosdoshme që nji grue me e mbajt sensin e humorit t’paprekun dhe t’gjallë. Ajo duhet me e pa, kjoftë edhe tinëz, që ajo asht gruaja ma zbavitëse e ma e çmendun në botën e saj, të cilën duhet me e pa edhe si botën ma absurde të t’gjitha kohnave. Asht thanë se qeshja asht terapeutike dhe se dashamirësia e zgjatë jetën. Gratë duhet me kenë të forta, të buta, të qeshin sa ma shumë dhe të jetojnë gjatë. Lufta për barazi vazhdon e paprekun dhe grueja luftëtare që asht e armatosun me urtësi dhe guxim ka me kenë e para me e festue fitoren.