Prej cilës botë je ti
emrin e cilës lule e mban,
pse nuk je sikur gratë tjera
që kalojnë sikur era
emrin e të cilave as nuk e kujton,
puthjet e të cilave i harron
me mëngjesin e parë?

Prej cilës dashuri je ti,
prej cilit libër,
prej cilit roman
kur kështu, pa asnji plan,
e pa mend
zemrën në copa ma ndanë
e netët në ditë mi kthen?

Çfarë gruaje je ti
kur gjysma e jetës në ty më rri,
që më banë me vuajt
pse e gjithë kjo shumë shpejtë po shkon,
e vjeshta po afron
e lotët po më shihen për herë të parë?

Ti veç prej qiellit ke mujt me ardhë
se udhët e tjera unë i di
e me tjerat aty kam qenë n’vetmi.

Prej cilës botë je ti,
prej cilës lule e ke marrë atë temjan
që unë me të dashtë
e kurrë mos me të lanë?

Željko Krznarić

 

Željko Krznarić është poet, tekst-shkrues dhe gazetarë kroat. Ka botuar 17 përmbledhje me poezi dhe ka shkruar mbi 450 tekste të këngëve për këngëtarët vendas, ndër më të njohurat teksti i këngës “Uzaluzd vam trud svirači” të kënduar nga Prljavo Kazalište. Fitues i çmimit Porin, çmimit të qytetit të Zagreëbit si dhe i çmimit letrar “Zvonimir Golob” për këngën më të bukur të dashurisë ” Ti imaš oči koje sam nekad viđao”.