Më kujtohet që e kam pas pyet mamin cila ka qenë gjëja e parë që ke menduar kur të kanë thënë se ke lindë një vajzë, “Ah moj nanë që edhe ti këtu paske me ardhë” – me pati thënë.  Natyrisht se atëherë s’ më është dukur ndonjë gjë e madhe mbase edhe nuk e kam kuptuar drejt. Përkundër faktit që lindja e vajzave nuk festohej e gazmohej, lindja ime është festuar tri javë, kështu më kanë thënë, ngaqë gjyshja ime, rahmet pastë, s’kishte pasur vajza dhe unë isha vajza e parë në familje. Por ama “pushkë nuk kanë qit” as për mua dhe dyshoj të ketë ndodhur për lindjen e ndonjë vajze tjetër, siç rëndom ka ndodhur për lindje të djemve, ngase vajzat konsideroheshin e vazhdojnë të konsiderohen gjinia e dobët.

Më kujtohet kur gjyshja mllefosej shumë, më bijtë e saj, thoshte: “Kudër u bafsh e nanë mos u bafsh”, as këtë nuk e kuptoja atëherë. Duhet të keni parasysh se nuk ka qenë gjyshe e zakonshme, por një grua me vullnet të hekurt me energji të pashtershme, një punëtore e jashtëzakonshme, një tregtare e vet formuar, pa shkollë, që kishte shëtitur siç thoshte ajo “shtatë dërzhava” për të siguruar mirëqenien e familjes e shkollimin e bijve përderisa fliste pothuajse të gjitha gjuhët e rajonit. Ajo pra, gjinia e dobët!

*******

Unë, gjinia e dobët, shkova në spital diku rreth orës pesë të mëngjesit… Gjatë natës isha bërë qull pak nga djersët pak ngaqë më kishte shpërthyer uji për të cilin unë mendoja se është urinë, ndërkaq dy tre ditët e fundit, meqë termini i lindjes afrohej, isha kujdesur, si një grua e mirë, që perdet të jenë të pastra bashkë me xhamat, dyshemeja, mobilet dhe gjithçka të shkëlqej. Në spitalin e gjinekologjisë, QKUK, mjeku im më takoi për një kontrolle të shpejtë sepse ndërrimi i tij po përfundonte duke më siguruar se gjithçka është ok, dhe se do të më fus në sallën e lindjes prej nga do të dal shumë shpejtë, pasi të më japi induksion për dhimbje, për tu hapur pra dhjetë centimetra….

Pas diku tridhjetë e më shumë orë dhimbje, tri induksioneve, i fundit me dozë të dyfishtë, pas një kolapsi fizik, mendor e shpirtëror, e pasi Malit iu ngadalësuan të rrahurat e zemrës stafi vendosi të më fuste në operacion ngaqë foshnja ishte në rrezik e kanali im i lindjes tregohej fort kryeneç, nuk po hapej pra.

Më kujtohet që më lidhën duart e këmbët, dhimbja më zinte frymën e anesteziologu duke më shpuar me gisht këmbët e duart që më ishin bërë brumë nga edema (ënjtja) thoshte: “S’guxoj unë kësaj me i jap anestezion, kjo nuk çohet ma”, ani që unë nuk kisha tension të lartë, por mungesë proteinash, askush s’ma vente veshin.

Më kujtohet që në kujdesin intensiv, një vend i ftoftë e pa pikë drite, diku gjysme ore pas lindjes, ende pa u kthjellur, një motër më dha Malin në duar dhe tha: “jepi djalit gji”. Kaq sa i përket para-përgatitjes; kaq sa i përket momentit magjik kur ti e sheh fëmijën tënd për herë të parë dhe dashurohesh që për mua është koncept i panjohur; kaq sa i përket udhëzimeve për gjidhënie; motra iku. Desha ta thërras prapa por e pash se nuk kisha zë, mbeta fillikat vetëm, ethe, temperaturë, edhe frymëmarrjen e kisha sfidë, gjakderdhja më kishte dal mbi mbuloja e shihja tek vizatoheshin lloj lloj figura mbi to, e në anën tjetër edhe lëvizjet më të vogla ishin tmerrësisht të dhimbshme.

Më kujtohet që gjatë kohë pas lindjes kam qenë në depresion pa e ditur që jam në depresion, me të qara të përditshme, ankth e frikë. Gjatë kohë pa gjumë, në një lloj gjendje paniku që nuk më ka lënë të shijoj periudhën e foshnjërisë së Malit as edhe një pikë. Më kujtohet që jetoja me frikën se Mali do të vdes nëse unë shkoj qoftë edhe në WC…dhe i detyroja njerëzit që i kisha afër t’i rrinë te goja për të parë në merr frymë deri të kthehem unë.

Më kujtohet kur unë dhe Mali u mësuam të navigojmë përfundimisht fushë betejën, gjinjtë dhe gjidhënien, lehtësimin dhe shkarkimin, shija bitter-sweet – si shwepsi – që të mbetet pasi foshnja të ngopet e ti me padurim pret me e pa ngjyrën e “kakës” për të kuptuar gjendjen e brendshme;

ndjenja e përgjegjësisë…..

veç unë mundem me ia ndal vajin veç unë….

veç unë mundem me ia falë qetësinë veç unë…

veç unë mundem me e fut në gjumë veç unë….

Unë vdes për ty, jetoj për ty, jam në gjendje më vra për ty, me vjedh për ty, me rrotullu botën për ty, me u izolu, me ikë në fund të botës për ty, unë, gjinia e dobët!

Më kujtohet ndjenja e fajit, e marrës… Çka kam që nuk jam e lumtur? Pse po qaj? Çka s’është në rregull me mua. Njerëzit vinin, shkonin, kisha përshtypjen që të gjithë gëzoheshin veç meje. Marre me qajtë, sshhht – qesh, duku normal, duku bukur e lumtur, fshihe dhimbjen, fshihe frikën… S’ka lidhje që hormonet i ke të tërbuara e nuk i kontrollon dot emocionet, s’ka lidhje që ende po gjakderdhë, që po të kullojnë gjinjtë e mban ere fermentimi, s’ka lidhje që je me varrë e penjtë ende si ke heq… shuj mos e bë të madhe, s’je as e para as e fundit, kujtoje gjyshën, mamin, shuj….

Unë gjinia e dobët!!!!

Pirdhu – që kishin me thënë vëllezërit tonë matanë Drinit.

Çka do që ti bënë, unë e bëjë duke gjakderdhë!