Dashnia e vërtet’. A asht normale,
a asht serioze, a asht praktike?
Çka fiton bota prej dy njerëzve që
nuk e shohin botën?

Të vendosun në të njajtin piedestal pa ndonji arsye,
të tërhequn rastësisht nga miliona të tjerë, por të bindun
se asht dashtë kështu me ndodhë – si shpërblim për çka?
Për asgja.
Drita lëshohet prej kurrçkafit.
Pse bash mbi këta dy e jo mbi të tjerët?
A nuk e shkel kjo punë drejtësinë? Po.
A nuk i përçanë kjo parimet tona të ngrituna me përpikmëni,
dhe e hedh moralin n’ humnerë? Po, të dyja.

Shikojeni çiftin e lumtun.
As që mundohen së paku me e mshef,
për hatër te shokëve qysh nuk bahen kishe janë pak depresivë?
Ndigjoni qysh qeshin – asht ofendim.
Gjuha që përdorin – thjeshtë mashtruese.
Dhe festimet e tyne të vogla, ritualet,
regullat e ndërsjella të përpunume  –
duket sheshit se asht komplot mrapa shpinës së njerëzimit!

Asht e vështirë edhe me ja qëllu cka kish me ndodhë
nëse njerëzit fillojnë me e ndjek shembullin e tyne.
Feja dhe poezia për çka kish me na shërby?
Çka kish me u mbajt në mend? Çka me u gjyku?
Kush kish dasht me mbet brenda kufijëve?

Dashnija e vërtet’. A asht njimend e nevojshme?
Takti dhe mendja e shëndosh thotë t’kalojmë mbi ta në heshtje,
si mbi një skandal në qarqet ma të nalta të Jetës.
Fëmijë të përkryem lindin pa ndihmën e saj.
Ajo nuk mund ta popullojë planetin as për nji milion vjet,
kur ndodh aq rrallë.

Leni njerëzit që kurrë se kanë gjetë dashninë e vërtetë
të besojnë se nuk ekziston.

Besimi ka me ua ba ma të lehtë me jetu e me dekë.