Mirë se erdhe në blogut tim. Unë jam Vlora dhe këtu do të përpiqem të shkruaj për tema që preokupojnë qytetarët e Kosovës që ndërlidhen me prindërimin bashkë me tundimet e sfidat që e përcjellin këtë proces. Për të qenurit nënë vetushqyese, shoqe fantastike, motër dhe mbesë e përkushtuar; do të përpiqem të ndaj me ju përvojën time përmes shkrimeve, përcjell aty këtu me ndonjë këshillë  – jo që jam ndonjë model shembull, por mësime kam nxjerrë (deri diku, të mos jemi aq entuziast)!

Përndryshe, jam nana e Malit, djalit tim 8 vjeçar, tash sa e kemi filluar klasën e tretë, dhe shpesh e gjej veten të fshehur në banjo duke kërkuar në google përgjigje për pyetjet e tij që kanë të bëjnë me sistemin diellor e rrugën e qumështit e madhësinë e Plutonit e çka jo!!!! Më preokupojnë (dhe më nxisin të shkruaj) padrejtësitë me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës siç janë seksizmi, diskriminimi gjinor, paragjykimet, stigmatizimet, keqpërdorimi i taksave, i pushtetit, i pozitës, besa besa edhe i opozitës, më preokupojnë edhe disa kilogramë të tepërt si dhe pirja e duhanit por nuk kam ndër mend të bëjë diçka për këtë punë!

Në gjysmën e dytë të vitin 2013 kam humbur nënën dhe babain dhe martesën. Kjo e fundit heshturazi e pavërejtshëm është përvjedhë në rrugë pa kthim! Por, më ndihmën dhe dashurinë e pakusht të njerëzve të afërt e kam ruajtur mendjen e shëndoshë, në veçanti me ndihmën e shoqeve të mija “my support sistem” Dardanës, Lindës, Rrezartës, Teftës, Pritës, Buqës, Jehonës e shumë e shumë të tjerave, unë sot jam kjo që jam dhe do t’u jam përjetë mirënjohëse!